Diskutohet për rëndësinë e fuqizimit ekonomik në parandalimin e dhunës ndaj grave

Foto: QKSGJ

Në shënim të 25 vjetorit të Platformës së Pekinit, 20 vjetorit të Rezolutës 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe në 15 vjetorin e themelimit të Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGj) me datë 14 tetor u mbajt takimi konsultativ “Fuqizimi ekonomik si parakusht i parandalimit të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”, i organizuar nga ABGJ dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj). 

Ky takim kishte për qëllim forcimin e njohurive, stimulimin e bashkëpunimit mes aktorëve institucionalë dhe më gjerë në luftimin e dhunës në familje dhe asaj në baza gjinore, duke vënë theksin te fuqizimi ekonomik si parakusht për parandalimin dhe eliminimin e këtyre llojeve të dhunës.   

Pjesëmarrës në panel ishin përfaqësues të institucioneve, organizatave të grave, si dhe të organizatave ndërkombëtare.

Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) ftoi institucionet t’i koordinojnë agjendat e tyre dhe ta vënë barazinë gjinore si prioritet.

Ajo çmoi lart punën e ABGJ-së përgjatë 15 viteve që nga themelimi, duke kujtuar këmbënguljen e vazhdueshme të organizatave të grave për funksionim të këtij institucioni brenda kryeministrisë. 

“ABGJ përbën një prej tre faktorëve kyç të bashkëpunimit për arritje dhe funksionim të barazisë gjinore në Kosovë, bashkë me donatorët dhe organizatat e grave”, shtoi ajo, duke i ftuar donatorët të konsultohen me ABGJ-në për investime drejt arritjes së barazisë gjinore në Kosovë.

Kurse, Drejtorja Ekzekutive e QKSGj-së, Luljeta Demolli tha se gratë nuk janë të përfaqësuara në sferën publike, duke shtuar se vështirësi më të mëdha vërehen gjatë pandemisë COVID-19.

“Legjislacioni nuk po zbatohet si duhet. Dhuna mbetet një kërcënim dhe realitet i vazhdueshëm. Është tepër me rëndësi që trajtimi i dhunës të jetë prioritet i institucioneve dhe çdo sfidë të përcillet me Konventën e Stambollit që parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës. Përpos adresimit të dhunës ndaj grave duhet të reflektojmë edhe në fuqizim ekonomik”, ka theksuar ajo.

Tutje, Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny vuri theksin te qëllimet e qeverisë suedeze për politika feministe, një prej pikave kyçe të së cilës është  fuqizimi ekonomik dhe social.  

“Fuqizimi ekonomik do të thotë autonomi – të kesh mundësinë të largohesh nga një lidhje në të cilën nuk trajtohesh si qenie njerëzore”, tha ajo.  

Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara (KB) ndau punën e Agjencive të KB-së gjatë pandemisë Covid-19, duke i kushtuar një pjesë të fjalimit të saj rëndësisë së përfshirjes së grave në forcën punëtore. 

“Nëse i përjashtojmë gratë nga ekonomia do të thotë humbje e madhe e të ardhurave për shoqëritë tona. Nëse do të ishin të përfshira një numër i përafërt i grave me atë të burrave në fuqinë punëtore, GDP-ja globale do të rritej për 12 trilionë dollarë”, shtoi ajo.

Të pranishme në këtë takim ishin edhe; Deputetja Teuta Haxhiu; Këshilltarja e Kryeministrit, Ardita Dushi, si dhe Zëvendësministri i Drejtësisë/Koordinatori Nacional Kundër Dhunës në Familje, Florian Dushi.