Drugëza përmbyll me sukses nismën për promovimin e Direktivës së BE-së për Balancin Punë-Jetë

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Drugëza, ka arritur që të promovojë te bizneset e Skënderajt, shoqëria civile dhe zyrtarët komunalë politikat që ofrojnë vende miqësore pune për familjen duke përmbyllur me sukses nismën nëntëmujore “Fuqizimi i gruas në biznes, formë e mirë e  promovimit të barazisë gjinore”.

Pas takimit me 12 përfaqësues të bizneseve të komunës së Skënderajt, Drugëza ka arritur bashkëpunim me dy kompani të cilat janë zotuar se do të krijojnë vende miqësore pune për familjen, siç parasheh Direktiva e BE-së për Balancin Punë-Jetë.

Në kuadër të nismës, Drugëza ka zhvilluar takime me 12 anëtarë të Kuvendit Komunal dhe drejtorët relevantë. Asambleisti nga Skënderaj, Mentor Mehmeti, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme nismën, duke thënë se “takimi dhe informimi për politikat miqësore dhe Direktivën e BE-së, do ju ndihmojë atyre që t’i kenë më të qarta idetë se si të punojnë në këtë drejtim”.

Po ashtu 15 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile përmes takimit të organizuar nga Drugëza janë informuar se si përmes organizatave të tyre mund të ndihmojnë në arritjen e barazisë gjinore dhe në përmirësimin e kushteve për punëtorët.

Njëra nga pjesëmarrëset në këto aktivitete, Sanije Hoti  nga Qendra Kosova për Vetëpërkrahje tha se “aplikimi i këtyre politikave miqësore në vendet e punës do të lehtësonte shumë balancin e jetës private të gruas dhe vazhdimin e karrierës jashtë shtëpisë.”

Për të promovuar nismën në një masë më të gjerë, Drugëza ka shpërndarë 300 posterë që tregojnë për përfitimet e punëtoreve dhe punëdhënësve nga zbatimi i Direktivës së BE-së për Balancin Punë-Jetë.

Rreth 1200 punëtorë kanë arritur të informohen nga broshurat informuese. Gjithashtu, videoja që shpjegon politikat e vendeve të punës miqësore për familjen e shpërndarë në rrjetet sociale dhe në televizionet lokale ka arritur të shtrihet tek më se 10000 persona.

Ashtu siç bën me të gjitha organizatat e veta anëtare, RrGK ka ofruar në vazhdimësi ndihme Drugëzës në realizimin e objektivave.

“Mbështetja e RRGK-së po ashtu ka qenë e rëndësishme për ne,për faktin se kemi arritur që të prekim ndër vite shumë përfitues dhe të mësojmë se puna në komunitet është përgjegjësi por edhe kënaqësi e madhe, pasi ndjejmë që kemi bërë diçka në përmirësimin e rolit të gruas në një shoqëri patriarkale që vazhdon të jetë në shumë fshatra të komunës sonë,” thotë menaxherja e Drugëzës Gentiana Zeqiri.

Kjo nismë e Drugëzës u mbështet nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA) përmes nismës së RrGK-së “Më shumë zgjedhje: Politika familjare përgjegjëse gjinore për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi”, financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), njësia operacionale e Agjencionit Austriak për Bashkëpunim.