Këtë muaj Komisioni për Vlerësimin e Granteve ka rishikuar 77 aplikacione të organizatave anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), të cilat kanë aplikuar për të përfituar nga raundi i 18-të i granteve i Fondit të Grave të Kosovës (FGK). Në këtë raund do të ndahen grante në vlerë prej 215,000 €, falë donatorëve sikurse janë Fondacioni Sigrid Rausing (SRT), Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), Agjencioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA) dhe Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
Paraprakisht anëtaret e Komisionit për Vlerësimin e Grantave janë nominuar në Kuvendin e rregullt të anëtarëve të RrGK. Pas votimit online, Kuvendi ka zgjedhur tri anëtare të reja të Komisionit Nermin Mahmutin, Aida Dërgutin dhe Anisa Ismailin. Dy anëtaret tjera janë Yllka Soba dhe përfaqësuesja e rregullt nga RrGK, Donjeta Berisha.
Pas konsolidimit, Komisioni në bashkëpunim me FGK-në i ka rishikuar aplikacionet dhe ka ndarë komentet e tyre konstruktive për organizatat anëtare të cilat kanë aplikuar me nisma që do të kontribuojnë në avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave dhe barazisë gjinore në Kosovë. Ndërsa, gjatë kësaj periudhe organizatat anëtare të RrGK janë duke i finalizuar aplikacionet ne bazë të komenteve të Komisionit, kjo si vazhdimësi e përpjekjeve të RrGK që të ngriten kapacitetet e organizatave duke filluar nga aplikimi, gjatë zbatimit e deri tek përmbyllja e një projekti.
“Jemi të lumtura që mund të vazhdojmë t’iu ofrojmë mbështetje organizative anëtareve tona. Kjo mbështetje ju ofron atyre fleksibilitet dhe ju mundëson që ti realizojnë planet dhe synimet e tyre të përgjithshme strategjike për dallim nga financimet tjera që janë më të kushtëzuara për aktivitete dhe objektiva specifike”, thotë Donjeta Berisha, Menaxhere e Fondit të Grave të Kosovës.
Më konkretisht, nismat e tyre pritet të kontribuojnë direkt në realizimin e Strategjisë dhe objektivave të saj të identifikuara nga anëtaret e RrGK-së për periudhën 2023-2026, duke avokuar për përkrahjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të grave dhe vajzave, të cilat promovojnë të drejtat e njeriut dhe synojnë të sjellin ndryshime afatgjata.
Për t’i informuar organizatat anëtare në detaje, FGK ka mbajtur më herët sesion informues për 12 grantet që jepen nga Trusti Sigrid Rausing për mbështetje organizative, secili në vlerë prej 10,000€, 112,000€ në total. FGK gjithashtu ka mbajtur dy sesione informuese në formë të punëtorive lidhur me grantet për fushën e edukimit dhe shëndetësisë, ku anëtaret patën mundësinë të punojnë direkt me ekspertët e fushave në dizajnimin e iniciativave të tyre bazuar në metodologjinë e zhvilluar dhe legjislacionin në vend. Më konkretisht, 15 grante do të jepen nga ADA, bashkëfinancuar nga Sida, në vlerë prej 5,000€, 75,000€ në total. Ndërsa sesioni tjetër informues është mbajtur edhe për dy grantet që ndahen nga Zyra e Bashkimit Evropian, secili nga 10,000€, 20,000€ në total.