“Gruaja Bashkëkohore” sfidon stigmën e shoqërisë mbi seksualitetin

Shoqëria kosovare seksualitetin e trajton si një nga tabutë më të mëdha. Madje, shpesh herë edhe sistemi edukativo-arsimor vetëm se e përforcon stigmatizimin ndaj temave të lidhura me shëndetin riprodhues, marrëdhëniet seksuale dhe virgjërinë.

Që kjo temë të mos anashkalohet dhe të mos shihet si e turpshme organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Gruaja Bashkëkohore, ndërmorri nismën “Stigma e shoqërisë mbi seksualitetin.

Gjithsej 59 përfitues nga aktivitet e realizuara në kuadër të kësaj nisme (52 vajza/gra dhe 7 burra/djem) tani kanë njohuri të shtuara rreth shëndetit riprodhues, marrëdhënieve seksuale, cyber seksit  (I njohur edhe si internet seks, cybersex përshkruan një marrëdhënie seksuale virtuale, ku njerëzit përmes kompjuterit i dërgojnë njëri-tjetrit mesazhe/imazhe me përmbajtje seksuale), virgjërisë, masturbimit, dhe orientimit seksual.

Punëtoritë, disktutimet, dhe publikimet e shkrimeve në media ndihmuan dukshëm në ngritjen e vetëdijes së përgjithshme, e veçanërisht te vajzat e komunitetit shqiptar, rom dhe atij ashkali nga Komuna e Prizrenit, në mënyrë që të realizojnë të drejtat e tyre në kujdesin shëndetësor, kjo si një fushë e rëndësishme në Strategjinë e RrGK-së 2019-2022.

 “Më parë asnjëherë para anëtarëve të familjes nuk kam folur për seksin apo tema të tjera që kanë lidhje me seksualitetin, por falë kësaj nisme tani edhe në familjen time kjo temë nuk është më tabu”. Këto janë fjalët e njërës nga pjesëmarrëset në aktivitetet e organizuara nga “Gruaja Bashkëkohore”.

             “Po më vjen shumë mirë që isha pjesë e kësaj iniciative, që për herë të parë pata mundësinë të komunikoj kaq lirshëm me vajzat e tjera për një temë që konsiderohet ende tabu në shoqërinë tonë. Ligjeratat e llojit të tillë ndikuan që unë të rrisë vetëdijen ndaj shëndetit seksual dhe riprodhues si dhe ndaj dhunës seksuale”, ka theksuar Jona Gashi, ekonomiste.

Vlerësime të ngjashme nuk munguan as nga zyrtarët institucionalë të cilët morën pjesë në këto aktivitete.

         “Më vjen mirë që mora pjesë në këtë aktivitet të shoqatës suaj, informatat dhe diskutimi i sotëm lidhur me Ligjin për Shëndetin Riprodhues ishin shumë të dobishme për mua që si zyrtar në Drejtorinë Komunale të Shëndetësisë në të ardhmen t’i shtyj përpara politikat lokale që kanë për qëllim përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve, respektivisht grave”, theksoi Nexhip Berisha, zyrtar nga Drejtoria e Shëndetësisë në Prizren, përgjatë diskutimit me temën “Të drejtat seksuale dhe riprodhuese”, ku ndër ligjëruesit ishte edhe juristi Leotrim Gërmizaj.

Gërmizaj bëri prezantim të detajuar të Ligjit për Shëndetin. Ai poashtu tregoi për pornografinë, rreziqet dhe kërcënimet që vinë nga cyber seksi.Të pranishmit theksuan se këto dukuri janë posaçërisht të rrezikshme ngase në të shumtën e rasteve viktima të programeve pornografike dhe cybersex-it janë adoleshentët.

Këto tema përgjithësisht të trajtuara pak, falë kësaj nisme dhe kontributit të dhëna nga profesionistët, janë përmbledhur edhe në rekomandimet si vijon, të dërguara për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit:

  • Të ngritet vetëdija për përdorimin e metodave moderne të kontracepsionit, përmes ligjeratave tek adoleshentët dhe popullsia sidomos në zonat rurale. Profesionistët shëndetësor nuk duhet të ngurojnë që të diskutojnë kontracepsionin me përdoruesit. Ngritja e vetëdijes mund të bëhet përmes edukumit jo-formal me nxënësit e shkollave si dhe ligjeratave informuese.
  • Promovim në kanalet virtuale : Spitali Rajonal i Prizrenit dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare duhet të përditësojnë më shumë informata në ueb faqen zyrtare në lidhje me shëndetin riprodhues dhe seksual. Aktualisht ueb faqja nuk ka fare material promovues në lidhje me këtë.
  • Mbrojtja e privatësisë : Spitali Rajonal i Prizrenit në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) duhet të ngrisin vetëdijen e profesionistëve shëndetësor rreth aspektit të privatësisë dhe konfidencialitetit në lidhje me shërbimet kontraceptive, abortin, kujdesin pas abortit dhe kujdesin maternal. Po ashtu MSH duhet të krijojë një komision monitorues për profesionalizmin e nënpunësve shëndetësor dhe të ndëshkojë shkelësit e privatësisë dhe konfidencialitetit.
  • Të bëhet ndryshimi i neneve 2,5,7,8 të ligjit Nr.02/l-76- Ligji për Shëndetin Riprodhues. Të zëvendësohet fjala “femër” me fjalën “grua”, sepse termi “femër” është term shkencor i cili i referohet seksit të një specie që është e aftë të lindë, kurse termi “grua” i referohet në mënyrë të veçantë qenieve njerëzore.

    Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), si dhe është financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).