“Hareja” vetëdijëson qytetarët e Rahovecit për raportimin e dhunës në familje

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), OJQ Hareja, me nismën “Mos heshtni-Flisni” mbajtën tryeza, punëtori dhe ligjerata për vetëdijësimin e grave dhe shoqërisë për parandalimin e dhunës në familje dhe rëndësinë e raportimit të saj.   

Ligjëratat janë mbajtur me gratë e komunitetit serb dhe rom nga shoqata Hareja dhe Policia e Kosovës, ku grave pjesmarrëse i’u është treguar numri i rasteve të raportuara nga Policia e Kosovës si dhe vendi dhe mënyrat se ku mund të raportohet dhuna. 

Nga nëntori deri në janar të vitit 2020, gjithsej janë mbajtur 6 ligjërata në Hoqë të Madhe, Xërxë, Krushë të Madhe, Ratkovc dhe dy në Rahovec. Pjesëmarrës në këto ligjerata ishin gjithsej 221 persona ( 176 gra dhe 45 burra). 

Gjatë muajit dhjetor, Hareja ka mbajtur dy punëtori me temë “Qasja e duhur ndaj viktimave të dhunës, viktimave të dhunës në familje, dhe dhunës seksuale”, udhëhequr nga psikologu Visar Sadiku. Në punëtori kanë marrë pjesë përfaqëuses të policisë, QPS-së, QKMF-së, strehimores në Gjakovë, psikologe, punëtore sociale nga shoqata Hareja. Gjithsej të pranishëm përgjatë këtyre dy punëtorive ishin 41 pjesëmarrës (32 gra dhe 9 burra). 

Në takimin përmbyllës të projektit Drejtorja Ekzekutive e Organizatës, Adelina Paqarizi ka folur për qëllimin e përgjithshëm të kësaj nisme. 

Komuna e Rahovecit fatkeqësisht ballafaqohet me një numër të madh të rasteve të dhunës në familje andaj qasja e duhur dhe e drejtë e viktimave të dhunës në familje, viktimave të abuzimeve seksuale, përkrahja e tyre, si dhe promovimi i të drejtave të grave në Komunën e Rahovecit ishte qëllimi kryesor kësaj nisme” , tha Paqarizi.  

 
Brenda tre muajsh, Hareja arriti të ndërmarrë hapat si në vijim:  

  • U siguruan të dhënat e sakta nga Qendra për Punë Sociale dhe Policia e Kosovës për rastet e dhunës të vitit 2019 të Komunës së Rahovecit. Deri në fund të vitit numri i viktimave të dhunës në familje ishte 47, ndërsa 95 % të viktimave ishin gra dhe vajza. 
  • Qytetarët e Rahovecit dhe fshatrave përreth u vetëdijësuan rreth parandalimit të dhunës dhe raportimin e dhunës në familje edhe asaj seksuale. 
  • U krijua marrëveshje gojore me Shtëpinë e Sigurtë në Gjakovë rreth trajtimit të viktimave të dhunës në familje. 
  • U krijua Mekanizmi Koordinues që do t’i trajtojë rastet në vazhdimësi, i përbërë nga psikologë, puntorë social, mjekë, infermiere, dhe policë. 

Kjo nismë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).