Hulumtimi i OJQ “Norma” gjen se në Kosovë vetëm 23 për qind e grave dhe vajzave e trashëgojnë pronën

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “Norma” ka mbajtur takimin e radhës që synon përmirësimin e qasjes në drejtësi për të drejtën trashëgimore të grave e vajzave.

Sipas hulumtimit të kësaj organizata “vetëm 23 për qind e grave e trashëgojnë pronën, kurse 77 për qind burrat.”

Valbona Salihu, drejtore e Shoqatës së Juristëve “Norma” ka thënë se është shumë e rëndësishme të flitet për të drejtën pronësore për gratë e vajzat në Kosovë, meqë statistikat tregojnë se në Kosovë vetëm 18 për qind e grave dhe vajzave kanë prona në emrin e tyre, ndërkaq 23 për qind e grave dhe vajzave e trashëgojnë pronën.

Në këtë takim ka marrë pjesë ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e cila tha se sipas gjetjeve Agjencia e Statstikave të Kosovës nuk ka të dhëna për të drejtën e pronës për grate. Sipas saj përqindja prej 18 për qind e grave e vajzave që e trashëgojnë pronën,  është shumë e vogël dhe rrethanat bëjnë që ato heqin dorë nga prona pa vullnetin e tyre.

Ajo përmendi Rrjetin e Grave të Kosovës, duke thënë se e kanë ngritur këtë çështje si temë diskutimi disa herë në Kuvendin e Kosovës.

“Në Kuvend është diskutuar nga RrGK-ja dhe është avokuar shumë për këtë temë, pikërisht nga drejtorja ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova. Është propozuar që të bëhet me ligj që nuk mund të heqin dorë gratë dhe vajzat që të trashëgojnë pronën. Ajo që po e pengon pak a shumë trashëgiminë e pronës është edhe detyrim në pagesat e tatimit për shembull, e që shumë gra janë të varura ekonomikisht nga burrat dhe është një nga pengesat për të trashëguar pronë”, tha ministrja Haxhiu.

Ndërkaq drejtorja ekzekutive e RrGK-së Igballe Rogova tha se tema e trashëgimisë së pronës nga gratë e vajzat ka qenë temë tabu dhe shumë e vështirë që kjo temë të përmendet publikisht. Por, sipas saj tani gjendja ka ndryshuar për të mirë. Rogova shtoi se krejt kjo lidhet me Kodin Civil, andaj edhe shprehu shpresën që Kuvendi ta votojë Kodin Civil në mënyrë që gjërat të ecin përpara.

“Anëtaret tona kanë nisur ta diskutojnë këtë temë, dhe ne e kemi mbështetur, ka qenë tabu temë dhe sot ka lëvizje, edhe pse jo ndoshta në numrin që ne mendojmë dhe dëshirojmë, por ka lëvizje pozitive. Mendoj se ende ka punë që tema e trashëgimisë së pronës të diskutohet me qytetarë dhe të informohen ata. Dua ta përmend ‘ARTPOLIS’ ku me një shfaqje në bashkëpunim me publikun e kanë diskutuar temën e trashëgimisë së pronës. Ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm, andaj duhet që kjo temë të diksutohet me qytetarë. Por, dua ta ceki që organizata anëtare “Norma” ka filluar me këtë temë”, tha Rogova.

Ekspertja ligjore Vlora Azemi tha se kanë bërë hulumtim lidhur me qasjen në drejtësi në të drejtën trashëgimore për gra e vajza.

“Të dhënat tregojnë se gjatë vizitës në Odën e Noterëve të Kosovës nuk kemi arritur të marrin të dhënat e kërkuara se sa gra e vajza e trashëgojnë pronën. Gjithashtu kemi vizituar Agjencinë e Statistikave të Kosovës, mirëpo as ata nuk kanë të dhëna lidhur me këtë temë. Vizita e radhës ka qenë në Komunën e Prishtinës në sektorin e Gjendjes Civile, ku nuk po u zbatoka neni 133 i ligjit të procedurës jokontestimore”, tha ajo.

Shoqata e Juristeve “Norma” si përfituese e grantit të 18-të të Fondit të Grave të Kosovës të RRGK-së e organizoi këtë aktivitet në kuadër të mbështetjes organizative me përkrhajen financiare të Fondacioni Sigrid Rausing Trust.