Megjithëse fëmijët e verbër kanë të drejtë të frekuentojnë shkollat publike, ndonjëherë këtyre u mungojnë kushtet e mjaftueshme për t’i pranuar ata ose nuk pranohen mirë për shkak të paragjykimeve të gabuara lidhur me aftësitë e tyre për të mësuar.
Komisioni i Grave të Verbëra i ka përfshirë të rinjtë në ngritjen e vetëdijesimit mes drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve për sfidat me të cilat përballen nxënësit e verbër, nevojat e tyre dhe rëndësinë e përdorimit të alfabetit brail në shkolla.
“Nga ju kërkoj të merrni nota të mira në shkollë dhe të jepni shembullin e nxënësit të shkëlqyer, me qëllim që t’i bindim njerëzit të na ndihmojnë që të arrijmë qëllimin tonë,” u tha Bajramshahe Jetullahu, të rinjve të verbër të cilët ishin mbledhur në shtator për të mësuar për nismën dhe për t’u bërë pjesë e saj.
Komisioni i Grave të Verbëra kërkoi të inkurajohen të rinjtë për të mbrojtur të drejtat e tyre për arsimim, mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (€2,878).
“Nevoja jonë më e madhe është që të na kuptojnë qytetarët,” tha një pjesëmarrëse e re. “Ata duhet të kuptojnë se asnjëherë nuk dihet se çfarë sjell jeta. Ndoshta një ditë edhe ata do të bëhen [të verbër] si ne, dhe do të kenë nevojë për dikë që t’i ndihmojë.”
Në bashkëpunim të ngushtë me dy drejtorë të shkollave, Komisioni ka futur tabelat e alfabetit të Brajlit në dy shkolla fillore në Prishtinë. Tabelat me madhësi pothuaj sa ajo e shtatit të një njeriu, janë përdorur për të shpjeguar alfabetin e Brajlit nxënësve të shkollave publike. Kështu, prezantimi i tabelave ka përfshirë gjithashtu edhe organizimin e leksioneve në alfabetin e Brajlit për rreth 140 nxënës dhe mësimdhënës, si dhe ndarjen e informatave për nevojat e veçanta që kanë nxënësit e verbër.
Nxënësit morën pjesë në mënyrë aktive në këto diskutime, duke bërë pyetje nga kurioziteti. Disa nxënës, të mrekulluar, morën shënime për tabelat e Brajlit në fletoret e tyre.
“A mund të më prisni, ju lutem,” tha një nxënës. “Sa të marr fletoren, sepse dua t’i shkruaj këto shpjegime dhe t’ua tregoj familjes dhe shokëve.”
Përveç prezantimit të Brajlit në shkollë, nisma i informoi nxënësit dhe familjet e tyre për sfidat me të cilat përballen të verbërit dhe mbështetjen të cilën mund ta ofrojë shoqëria. Komisioni i Grave të Verbëra beson se nisma të tilla për ngritjen e vetëdijesimit mund të kontribuojnë në zbatimin e Ligjit për Arsimin Para-universitar, i cili i jep secilit nxënës të drejtën për të mësuar në shkollat publike dhe për të marrë arsimim themelor.
Në të ardhmen, Komiteti ka në plan të avokojë tek Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për ta përdorur këtë aktivitet si një shembull për vendosjen e tabelave të ngjashme të Brajlit në shkolla të tjera fillore anembanë Kosovës.