Lansohet Raporti “Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Serbi”

Sot, Kvinna till Kvinna Foundation ka lansuar online raportin Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Serbi.

Raporti shqyrton diskriminimin me bazë gjinore dhe punësimin, kjo si pjesë e nismës rajonale për të adresuar diskriminimin e tillë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Hulumtimi tregon se ngacmimi seksual në raport me punësimin në Serbi vazhdon të jetë një problem serioz, i cili në veçanti i prek gratë. Hulumtimi ofron informata lidhur me mangësitë në kuadrin përkatës ligjor; përhapjen dhe natyrën e diskriminimit me bazë gjinore në punësimi; dhe, shkallën në të cilën njerëzit kanë parashtruar ankesa për raste të tilla; si dhe mënyrën se si i kanë trajtuar institucionet këto raste.

Kryesuesja e Operacioneve në Delegacionin e BE-së në Serbi, Leonetta Pajer, vuri në pah se burrat mbesin të favorizuar në krahasim me gratë në pothuajse të gjitha sferat dhe se hendeku gjinor vazhdon në shumicën e indikatorëve të tregut të punës. Ajo tha se Plani i Veprimit për Barazinë Gjinore  2021 – 2025 (GAP III), i Bashkimit Evropian i miratuar në fund të vitit 2020, përcakton një agjendë ambicioze për të promovuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave përmes të gjitha veprimeve të jashtme të Bashkimit Europian.

“Prandaj, shpresoj se rezultatet e këtij raporti hulumtues do të rrisin vetëdijesimin dhe do të përmirësojnë njohuritë e popullatës së përgjithshme për çështjet e diskriminimit me bazë gjinore në tregun e punës, veçanërisht për grupet më të cenueshme që janë të margjinalizuara në shoqërinë serbe”, tha ajo.

Sofija Vrbaški, Koordinatore e Projektit në Kvinna till Kvinna, prezantoi gjetjet e hulumtimit, të cilat tregojnë se diskriminimi me bazë gjinore vazhdon, veçanërisht në punësim, promovim, në pushimin e lehonisë dhe në lidhje me ngacmimet seksuale në punë. Për sa i përket promovimit në punësim, çdo të dhjetës grua të anketuar i është mohuar gradimi për shkak të gjinisë, krahasuar me vetëm një burrë të anketuar. Gjetjet e hulumtimit sugjerojnë se diskriminimi me bazë gjinore prek veçanërisht gratë që punojnë në sektorin privat.

Ndërkohë, nivelet e ulëta të raportimit vazhdojnë të përbëjnë një sfidë për trajtimin e diskriminimit me bazë gjinore në punësim. Sipas raportit, gjykatat kanë pak përvojë, e po ashtu fare pak gjyqtarë duket se kanë njohuri në lidhje me kuadrin ligjor përkatës.

Vrbaški vuri në pah rolin kyç që shoqëria civile ka luajtur dhe duhet të vazhdojë të luajë në adresimin e shkeljeve të të drejtave.

“Duhet të këtë mbështetje. Duhet të vazhdohet me një plan afatgjatë, sigurisht përtej këtij programi,” tha ajo.

Për të kontekstualizuar gjetjet, Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Hulumtuese Kryesore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) prezantoi gjetjet fillestare të hulumtimit rajonal. Ajo tha se që nga botimi i parë i këtij raporti në vitin 2019, është bërë  përparim i rëndësishëm, megjithëse ai ndryshon varësisht nga vendi.

Megjithatë, një e treta e të anketuarve thanë se kishin përjetuar një formë të diskriminimit me bazë gjinore në punësim (36% e grave dhe 18% e burrave).

“Diskriminimi me bazë gjinore në punësim mbetet i përhapur, duke prekur dy të tretat e të anketuarve të cilët kanë marrë pjesë në intervista [pune] që nga viti 2018. Gratë janë pyetur më shumë sesa burrat për statusin e tyre martesor, planet për t’u martuar, fëmijët ose planet për të pasur fëmijë. Gratë u përballën më shumë me diskriminim në promovimin në punësim. Të dhënat statistikore tregojnë se hendeku gjinor i pagave vazhdon të jetë i pranishëm në të gjithë rajonin,” tha ajo. Për më tepër, “disa vende nuk i mbrojnë sa duhet viktimat nga viktimizimi”.

Farnsworth tha se RrGK beson se “trekëndëshi” i bashkëpunimit ndërmjet qeverisë, Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC), BE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë mund të kontribuojë në ndryshime ligjore dhe institucionale. Ajo tha gjithashtu se financimi dhe angazhimi i vazhdueshëm i OSHC-ve është i rëndësishëm për t’u kërkuar llogari institucioneve, për ofrimin e ndihmës juridike dhe monitorimin e përgjigjes institucionale gjatë asistimit të rasteve.

Gjatë prezantimit pjesëmarrësit përmendën disa shembuj të mirë, duke përfshirë Institucionin e Avokatit të Popullit, besimi në së cilin duket se është rritur.

Lidhur me ndihmën juridike të ofruar përmes kësaj nisme rajonale, për gratë që kanë përjetuar diskriminim me bazë gjinore në punë, Sanja Copic, Hulumtuese në Shoqatën e Viktimologjisë së Serbisë (Victimology Society of Serbia) foli për përvojën në ofrimin e ndihmës juridike për rastet e diskriminimit me bazë gjinore në punë.

“Roli i OSHC-ve është shumë i rëndësishëm në avokimin e të drejtave të grave në punë dhe mbrojtjen e tyre. Roli i tyre është shumë i rëndësishëm në rrjetëzimin me aktorë të ndryshëm, nga organizatat e shoqërisë civile e deri te institucionet dhe sindikatat e ndryshme, dhe mendoj se përmes këtij rrjetëzimi ndoshta mund të bëjmë diçka për të përmirësuar situatën në tregun e punës”, tha ajo.

Lansimi i sotëm u prezantua nga Tamara Šmidling, Zyrtare e Programit në Fondacionin Kvinna till Kvinna.

Hulumtimi është financuar nga BE-ja dhe bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim. Hulumtimi është bërë në kuadër të nismës rajonale të Fuqizimit te OSHC-ve në Luftimin e Diskriminimit dhe Avancimin e të Drejtave të Grave në Punë.

LEXO EDHE: Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë