20 mijë është numri i përafërt i grave të dhunuara seksualisht gjatë periudhës së luftës 1998-1999 në Kosovë. Vuajtjet e këtyre grave vazhdojnë edhe dy dekada pas përfundimit të luftës, kjo për shkak se ato vazhdimisht përballen me stigmatizim nga rrethi familjar e shoqëror.
Më qëllim që të jenë edhe me tutje ndihmesë për këto gra “Medica Kosova” në partneritet me “Djepin e Buzëqeshjes” për pesë muaj kanë realizuar nismën “Përdorimi i qasjes së bazuar në komunitet dhe traumë për përmirësimin e çasjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës gjatë procesit të njohjes së statusit të tyre”, me mbështetje të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Falë kësaj nisme të dy organizatave anëtare të RrGK-së kanë përfituar 54 persona nga Komuna e Gjakovës, Deçanit dhe ajo e Rahovecit. Ndër ta, 44 gra nga këto tri komuna, si dhe 10 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve.
19 gra kanë ndjekur seancat për trajtimin e traumave të luftës, si dhe 8 të mbijetuara të dhunës seksuale janë ndihmuar në plotësimin e aplikacionit për aplikim për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, kurse 11 të mbijetuara vazhduan sesionet këshilluese deri sa të arrijnë stabilitet emocional për t’u përballur me procesin.
Gratë pjesëmarrëse, aktivistet e shoqërisë civile dhe përfaqësues institucionalë bashkërisht trajtuan temat siç janë: shkaktarët dhe pasojat e dhunës seksuale, trauma, ndikimi i traumave në aspektin emocional, psikologjik, dhe atë njohës, si dhe ndërtimi i besimit dhe konfidencialitetit. Një pjesë që vlen të përmendet është edhe njohja e pjesëmarrësve me Ligjin Nr. 04/L-054 mbi “Statusin e të drejtave të martirëve, indvalidëve, veteranëve, anëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjarëve të tyre”, si dhe njohja e punës dhe mandatit të komisionit për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave civile të luftës.
Trajtimi i mirëfilltë i këtyre temave u mirëprit nga tri kategori (të mbijetuarat e dhunës seksuale, organizatat e shoqërisë civile, si dhe institucionet) grupe këto të cilat kanë rol jetik për realizimin e të drejtave të grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës. Rëndësi të veçantë kanë përshtypjet e të mbijetuarave të dhunës seksuale, dy nga to shprehen si më poshtë:
“Sikur të mos ishte procesi këshillues për të kuptuar se si ta përballojmë procesin, unë nuk do të mund të isha në gjendje që të përshkruaja në formën e aplikimit secilin detaj të ngjarjes sime traumatike. Do të ndihesha edhë më keq se para se të aplikoja”.
“Nuk kam menduar se do të mund të aplikoja për njohjen e këtij statusi pa e treguar gjithë historinë time para Komisionit. Unë madje mendoja se do të kshte kamera përreth për të xhiruar storien time”.
Drejtorja e Medica Kosova, Veprore Shehu ka ndarë me publikun ecurinë e këtij projekti përmes një programi në radion lokale të Gjakovës. Me këtë rast ajo bëri thirrje që të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës të përkrahen nga familja dhe komuniteti. Llogaritet se ky program vetëdijësues ka arritur te rreth 1,800 dëgjues nga rajonet e sipërpërmendura.
Veprore Shehu, Drejtore Ekzekutive e Medica Kosova, gjatë një programi në radion lokale të Gjakovës, Mars 2019
Përveç me gra, Medica Kosova dhe Djepi i Buzëqeshjes kanë mbajtur takime edhe me Zyrën për Barazi Gjinore të komunës së Gjakovës si dhe me Departamentin për Familjet e Dëshmorëve, Invalidët e Luftës në kuadër të komunës së Gjakovës, ku kanë avokuar lidhur me trajtimin dhe ndihmën që duhet ofruar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Kam menduar se di shumë rreth ndikimeve të traumave nga dhuna seksuale, si dhe mbi mënyrat si mund t’i udhëzojmë të mbijetuarat për të marrë ndihmën e nevojshme. Ky trajnim më ka mësuar si të barëaspeshoj dëshirën time për mbështetje me qasjen e duhur në mënyrë që të mos u bëj atyre [të mbijetuarave] më shumë dëme”, u shpreh përfaqësuesi i Zyrës për Barazi Gjinore, Gjakovë.
Në mars 2014, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka aprovuar amandamentimin e ligjit Nr. 04/L-054 mbi “Statusin e të drejtave të martirëve, indvalidëve, veteranëve, anëtarëve të UÇK-së, viktimat civile të luftës dhe familjarëve të tyre” për të njohur zyrtarisht dhe për të përfshirë statusin e viktimave civile të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Statusi u jep të drejtë 20 mijë grave në Kosovë për pensione mujore dhe përfitime të tjera të përshkruara me ligj. Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë, i themeluar në vitin 2014 nga ish-Presidentja Atifete Jahjaga, zhvilloi legjislacionin dhe aktet nënligjore të nevojshme.
Në vitin 2017, Qeveria e Kosovës kishte autorizuar Medica Kosova dhe tri organizata të tjera të grave për të përfaqësuar të mbijetuarat në njohjen e statusit të tyre, duke u ofruar mbështetjen e nevojshme profesionale dhe teknike në plotësimin dhe dorëzimin e formularëve të aplikimit para Komisionit Qeveritar.
Përmes kësaj mbështetje të dhënë për dy organizatat anëtare, RrGK ka vazhduar përpjeket e kahmotshme për njohje dhe respekt për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Kjo nismë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).