Papunësia e grave në Kosovë mbetet e lartë. Sipas sondazhit më të fundit të tregut të punës, vetëm një në dhjetë gra është e punësuar. Gratë janë të përjashtuara nga shumë fusha, ku teknologjia, informacioni dhe komunikimi (TIK) janë mes atyre që janë më të dukshme.
Më 28 tetor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me Bankën Botërore, kanë organizuar forumin vjetor për përfshirjen e grave në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Qëllimi i forumit të këtij viti ka qenë diskutimi i arritjeve të vitit të kaluar në kuadrin e përfshirjes së grave në fushat e TIK-ut, si dhe diskutimi i planeve të ardhshëme.
Në fjalën e saj të hapjes, Besa Zogaj Gashi, zëvendës Ministre e Zhvillimit Ekonomik, theksoi se gratë kanë katër herë më pak të ngjarë të hyjnë në fushat e TIK-ut. Ajo shtoi se kjo mund të ketë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.
Paneli i parë ishte i nivelit të lartë, dhe përbëhej nga ministra të ndryshëm, të cilët deklaruan përpjekjet e tyre në drejtim të rritjes së përfshirjes së grave në TIK. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Berisha, dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, që të gjithë, deklaruan angazhimin e tyre në drejtim të rritjes së pjesëmarrjes së grave në TIK.
Ndërsa në panelin e dytë u diskutua për përfshirjen e grave në arsimimin dhe punët që lidhen me TIK. Vegim Gashi, Drejtor i KOMTEL-it, ka thënë se pasur shumë sfida me të cilat përballen gratë gjatë futjes në fushat e TIK-ut, duke theksuar natyrën problematike të ligjit aktual të punës. “Si biznesmen i TIK-ut, si baba i dy vajzave, dhe si feminist, besoj se Ligji aktual i Punës, në veçanti nenet që lidhen me pushimin e lehonisë, duhet të ndryshohen, me qëllim që të zvogëlohen aspektet negative që ka ky ligj mbi gratë të cilat hyjnë në fushat e TIK-ut”, tha z. Gashi.
Në përgjithësi, ky forum vjetor ka treguar se ndërkohë që ekzistojnë shumë sfida me të cilat përballen gratë në fushën e TIK-ut, ekziston edhe vullnet i bollshëm politik për t’i tejkaluar këto sfida. Ky forum është mbështetur nga Banka Botërore.