OPDMK mban takimin vjetor të GGAK

Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) ka vazhduar aktivitetet në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.  

Më 10 tetor në Prizren, OPDMK ka mbajtur takimin vjetor me Grupin e Grave me Aftësi të Kufizuara (GGAK) për të diskutuar më shumë lidhur dhe aktivitetet e realizuara deri më tani. Gjatë këtij takimi po ashtu u planifikuan aktivitetet për pjesën e mbetur të vitit.   

Drejtorja Ekzekutive e OPDMK-së, Antigona Shestan ka folur për rëndësinë që ka ky takim.    

“Përfaqësueset e GGAK duhen të angazhohen sa më shumë për gratë me aftësi të kufizuara të cilat mund të përfshihen më shumë në GGAK çdo ditë dhe kështu të kontribuojnë në realizimin e nevojave dhe qëllimeve të tyre. Kështu do të jemi një zë që do të dëgjohemi në publikun e gjerë, vetëm kështu ne do i largojmë të gjitha pengesat, jo vetëm për ne si grup, por edhe për të gjitha gratë me aftësi të kufizuara”, u shpreh ajo.   

Kurse, Resmije Rrahmani, Mobilizuese në kuadër të këtij projekti në OPDMK, thotë se takime si ky janë jetike për përmirësimin e pozitës së grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në Kosovë.   

“Ne kishim për qëllim që të ndajmë me njëra-tjetrën të arriturat, e poashtu të flasim rreth aktiviteteve të planifikuara. Shpresoj që vitin tjetër të kemi edhe më shumë aktivitete së bashku, duke qenë se këtë vit ishim paksa të kufizuara për shkak të pandemisë COVID-19”, thotë Rahmani.   

Këtë takim si tejet të frytshëm e ka vlerësuar edhe pjesëmarrësja Pranvera Musaj.  

“Bashkëbisedimet si ky ndikojnë pozitivisht te secila prej nesh, sidomos për shkak që kishim kohë pa u takuar për arsye tashmë të ditura. Sipas mendimit tim, takime si ky ngrisin kapacitetin e GGAK, e për më tepër përmirësojnë në përgjithësi pozitën e grave me aftësi të kufizuara”, thotë Musaj.  

Pjesëmarrëset e vlerësuan këtë takim dhe u zotuan për bashkëpunim të mëtutjeshëm për përmirësimin e pozitës së grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara në Kosovë.   

Në korrik të këtij viti, OPDMK ka shënuar Javën e Distrofisë Muskulare, për të cilën mund të lexoni më shumë KËTU.  

Këto aktivitete mbështeten nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, për të cilën mund të lexoni më shumë KËTU.