OJQ Bliri përmbyll me sukses nismën për ngritjen e vetëdijes rreth shëndetit reproduktiv te të rinjtë

Organizata anëtare e RrGK-së Bliri ka përmbyllur me sukses nismën “Ngritja e vetëdijes rreth shëndetit reproduktiv tek të rinjtë” të përkrahur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK).

Kjo organizatë në një takim përmbyllës me zyrtarët nga Komuna e Drenasit, përfaqësuese të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe vajza e gra të shoqërisë civile në Drenas ka informuar pjesëmarrësit për punën dhe arritjet përgjatë zbatimit të nismës, trajnimet me nxënës dhe të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga përmbledhja e politikave mbi qasjen e grave gjatë pandemisë COVID-19 në shërbime gjinekologjike.

Në kuadër të iniciativës, Bliri mbajti 30 ligjërata me nxënës të pesë shkollave të Komunës së Drenasit. Mbi 200 studentë patën mundësinë të mësojnë dhe diskutojnë për shëndetin riprodhues, duke përfshirë tema si shtatzënitë e padëshiruara, lindjet e padëshiruara, shëndeti mendor i nënës, faktorët që rrezikojnë shëndetin e nënës dhe pasojat e shtatzënisë të lidhura me stresin.

Psikologja dhe trajnerja e angazhuar nga Bliri raportuan se nxënësit e shkollave fillore treguan interes të madh për shëndetin riprodhues, depresionin dhe ankthin. Pyetjet më të shpeshta kishin të bëjnë me mbrojtjen nga shtatzënitë e padëshiruara dhe vetë-ekzaminimin për kancer gjiri. Nxënësit gjithashtu shprehën interes për të mësuar mbi përballimin e stresit, depresionit dhe strategjitë për parandalimin dhe menaxhimin e situatave të tilla.

Së bashku me psikologen, studentët patën mundësinë të diskutojnë mënyrat për të menaxhuar dhe kapërcyer situatat e vështira sa më lehtë dhe shpejt.

Përgjatë takimit u nxorën gjithashtu në pah të dhënat kryesore nga anketimi me rreth 100 gra nga komuna e Drenasit për qasjen e grave në shërbime gjinekologjike gjatë pandemisë COVID-19.

Nga hulumtimi rezultoi se 22% e grave të anketuara në komunën e Drenasit nuk kanë kryer kurrë kontrolla gjinekologjike, derisa 27% kanë kryer kontrolla gjinekologjike një herë në tre vjet dhe vetëm 37% e tyre del se kryejnë kontrolla të rregullta gjinekologjike.

Ndërsa nga rekomandimet e nxjerra thuhet se masat e Qeverisë duhet të adresojnë pabarazitë e ndërthurura, siç janë nevojat e grave me aftësi të ndryshme, nga përkatësi të ndryshme etnike dhe ato nga vende rurale. Gjithashtu është theksuar se duhet të rishikohen alokimet e tanishme të buxhetit në mënyrë që të prioritizohen në vitin tjetër buxhetor investimet në infrastrukturën shoqërore, duke përfshirë kujdesin shëndetësor me fokus shëndetin riprodhues, shërbimet e kujdesit, në veçanti për personat që përjetojnë dhunë, si dhe krijimi i një ambienti të sigurtë.

OJQ Bliri i ka kryer këto aktivitet në kuadër të Raundit të 17 të FGK, përmes nismës së Fondit të Grave të Kosovës i Rrjetit të Grave të Kosovës me titull “Ngritja e kapaciteteve dhe Qëndrueshmërisë së OSHC-ve tek Avancimi i Barazisë Gjinore gjatë pandemisë COVID-19” të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.