OJQ Lulishtja mban sesione informuese për bizneset lidhur me Direktivën e BE-së për Balancin Punë-Jetë

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe përfituese e Roundit të 17-të Lulishtja ka filluar ciklin e seancave me biznese për t’i njoftuar këto të fundit me Direktivën e Bashkimit Europian për balancin punë-jetë.

Në trajnimet e mbajtura në kuader të projektit “Fuqizimi ekonomik i grave pas krizës së pandemisë COVID-19, përmes krijimit të vendeve të punës miqësore për familjen” vëmendje e veçantë iu dha pushimit prindëror dhe pushimit për kujdestarët.

Njëri nga përfaqësuesit e bizneseve pjesëmarrëse gjatë një vizite në Francë kishte kuptuar se sipas ligjit të punës atje, pushimi atësor ishte 30 ditë pune. Për më shumë, trajnerja ka folur për disa përfitime të bizneseve, nëse këto të fundit do t’i zbatonin praktikat e vendeve miqësore për familjen.

“Bizneset veçse po përballen me vështirësi të gjetjes së punëtorëve, por vendet fleksibile të punës i motivojnë punëtorët që t’i qëndrojnë besnik biznesit si dhe janë më produktivë”.

Pajtueshmëri dhe dëshirë për zbatime të vendeve miqësore për familjen kishte nga të gjitha bizneset, ku njëri biznes tha “ne tashmë u njoftuam me këtë model dhe na mbetet të reflektojmë dhe ti zbatojmë këto rregulla në bizneset tona”.

OJQ Lulishtja ka realizuar këto aktivitete si përfituese e grantit të Raundit të 17-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.