Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) më 7 maj në Prizren ka mbajtur sesionin e parë informues rreth nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.
OPDMK-ja është pjesë e kësaj nisme katër vjeçare e cila zbatohet nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), së bashku me Ruka Ruci, Shoqata Evropiane e Grave Juriste (EWLA) si dhe mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
Të pranishme ishin 21 pjesëmarrëse, duke përfshirë këtu vajza dhe gra me aftësi të kufizuara, përfaqësuese nga Shoqata e të Verbërve dhe Shoqata e të Shurdhërve nga Prizreni, si dhe nëna të vajzave me aftësi të kufizuara.
Drejtorja e OPDMK-së, Antigona Shestan ka prezantuar këtë nismë, duke e vlerësuar RrGK-në si një zë të fortë mbështetës.
“Kjo nismë na jep shumë shpresë për gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, kjo nismë na ndihmon që ta vazhdojmë rrugën aty ku e kemi lënë. Ne nuk kemi me u marrë me politikë, por kemi me qenë ato që e shtyjmë politikën përpara”, u shpreh ajo.
Kurse, Vesa Zatriqi, Koordinatore e Projektit në RrGK ka folur për rezultatet e pritura nga zbatimi i kësaj iniciative.
“Përmes këtij bashkëpunimi synojmë që të arrijmë barazinë gjinore. Të kemi edhe gra me aftësi të kufizuara si dhe gra nga komunitetet jo-shumicë në procese vendimmarrëse dhe në politikë”, tha Zatriqi.
Tutje, Egzona Hoxhaj, Menaxhere e Qendrës sё Handikos-it në Prizren ka vlerësuar se është tejet e rëndësishme që personat me aftësi të kufizuara, e veçanërisht gratë me aftësi të kufizuara të luftojnë për të drejtat e tyre.
“Është për keqardhje që kur e ke një takim, shqetësimi më i madh është si me e gjetë një vend ku mund të qasesh lirshëm. Gjithmonë avokoni, që nesër të ekzistojë ashensori, të ekzistojë pjerrina. Të ketë qasje për ne”, tha ajo.
Ganimete Morina, Administratore në një shkollë të Suharekës ka ndarë përvojën e saj me të pranishmet.
“Çdo ditë duhet me u përballë me u ngjit në katin e dytë, ngadalë-ngadalë kanë filluar çdo ditë më ndihmojnë, janë mësuar me mua, jam bërë pjesë e tyre. E kanë kuptuar edhe ata se duhet qasja, duan të bëjnë çmos që të ofrojnë qasje, jo vetëm për mua, po por të gjithë”, tha ajo.
Resmije Rrahmani nga OPDMK-ja ka thënë se gratë dhe vajzat përgjithësisht janë të diskriminuara, mirëpo gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara diskriminohen shumë fish më shumë.
“Gratë me aftësi të kufizuara, sidomos ato nga zonat rurale duhet të marrin më shumë pjesë në vendimmarrje. Është me rëndësi që ne të votojmë gratë, besoj që më shumë na kupton një grua në kuvend lokal dhe qendror se një burrë”, u shpreh Rrahmani.
Në fund të pranishmet u pajtuan që të bashkëpunojnë sa më shumë me njëra tjetrën për avancimin e të drejtave të grave me aftësi të kufizuara.
Ky takim dhe kjo iniciativë mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
Sesion informues në kuadër të kësaj nisme ka mbajtur edhe organizata Ruka Ruci, për të cilin mund të lexoni më shumë KËTU.
OPDMK synon fuqizimin e pjesëmarrjes së grave me aftësi të kufizuara në politikë