Organizata SDK mban trajnim për fuqizimin e grave në biznes

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Sundimi i Demokracisë në Kosovë (SDK), në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për fuqizimin e mekanizmave gjinorë në komunën e Podujevës ka mbajtur një trajnim treditor për fuqizimin e grave në biznes.

Ai ishte i fokusuar për gratë që merren me veprimtari ekonomike nga sektorë të ndryshëm si agrobiznes, artizanate, ushqime tradicionale e tjera, duke përfshire edhe ato që planifikojnë të merren me veprimtari ekonomike.

Qëllimi i trajnimit ishte t’i aftësojë gratë në aspektin profesional për administrim biznesi dhe mbështetje për promovim të prodhimeve/shërbimeve të tyre. Më konkretisht gratë pjesëmarrëse morën njohuri për përgatitjen e një plani të biznesit, menaxhimin e biznesit si dhe një pjesë e trajnimit iu kushtua praktikave të avokimit për politika afirmative në nivel lokal për gratë ndërmarrëse dhe ndërtimit të rrjeteve për gratë afariste.

Besnik Muçaj, ekspert i qeverisjes dhe zhvillimit ekonomik lokal, tha se këto trajnime ndihmojnë për të njohur më mirë kontekstin e problemeve të grave në të bërit biznes. Gjithashtu ka të bëjë me adresimin e problemeve sistematike në politika dhe financime komunale si dhe me vetë politikat afirmative lokale se sa janë ato miqësore për bizneset e grave.

“Problemet e grave në biznes në komunën e Podujevës nuk kufizohen vetëm në vetë faktin e punës së tyre si biznese por lidhen ngushtë me kufizimet e tjera si barra e përkujdesjes ndaj familjes, prona qasja në fonde e deri tek qasja në treg dhe shitja. Andaj ne po bëjmë përpjekje që të adresojmë disa çështje nisur nga vetorganizimi për të adresuar çështjet në politikat komunale për të ndërtuar strukturat e përbashkëta të menaxhimit dhe ndërlidhur mes vete bizneset e grave dhe për të gjetur tregjet për to”, tha ai.

Nazife Gashi, pjesëmarrëse në trajnim e cila punon me ushqime tradicionale si përgatitjen e flisë e bakllavës, tha se përkundër gjitha vështirësive një punë që siç thotë ajo e do me shpirt, ia del.

“Atë punë që e do, e ke pasion, ndonëse është e vështirë, mendoj se ia del. Sa i përket ndihmës nga ana e komunës asnjëherë nuk kam marrë ndihmë ose ndonjë shtytje financiare. Me mjete vetanake kam filluar dhe më ka kushtuar me mijëra euro, por që ia kam dalë. Mendoj se si grua është e vështirë të bësh biznes por ia kam arrit, ndonëse gjithçka bëj vetë.

Ajo thotë se mungesa e punëtorëve po e vështirëson edhe më shumë punën, pasi që të rinjtë po ikin jashtë vendit.

“I kam pasur dy shoferë që e shpërndanin ushqimin, edhe kanë dalë jashtë vendit, tash i përgatis,  por edhe i shpërndajë vetë ushqimin që e porositin, e që nuk është e lehtë”, tha ajo.

Aktiviteti i SDK-së është mbajtur falë grantit të përfituar në raundin e 18-të i Fondit të Grave të Kosovës të RrGK-së për mbështetje organizative, financuar nga Fondacioni Sigrid Rausing.