Pas shumë vitesh avokim, QKSGj shtyn përpara miratimin e Politikës kundër ngacmimit seksual në administratën publike në Kosovë

Më 25 nëntor, në kuadër të fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore”, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti nënshkroi Politikën kundër ngacmimit seksual në administratën Publike. Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë (ZQM), me qëllim të zbatimit të Ligjit Nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligjit Nr. 05/L-020 për Barazinë Gjinore, ka përgatitur Politikën kundër ngacmimit seksual në administratën publike në Kosovë.

Qëllimi i Politikës kundër ngacmimit seksual në administratën publike në Kosovë është të shërbejë si një instrument dhe orientim strategjik për krijimin e një mjedisi në vendin e punës ku parandalohet dhe sanksionohet çdo formë e ngacmimit seksual.

Politika, e para e kësaj natyre, u mirëprit nga feministet, OSHCG-të, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare që punojnë në Kosovë dhe u konsiderua si një hap i madh në përparimin e të drejtave të grave në vendin e punës. 

“Kjo politikë kontribuon në mënyrë thelbësore në mbrojtjen dhe promovimin e barazisë gjinore si një vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë dhe Republikës së Kosovës, me qëllim të parandalimit të çfarëdo forme veprimi që çon në cenimin e dinjitetit personal të secilit punonjës në administratën publike. Kjo është një domosdoshmëri në zbatimin e direktivave të Bashkimit Evropian që kërkojnë nga institucionet tona përmbushjen e këtyre kritereve në procesin e integrimit Evropian”, tha Luljeta Demolli, Drejtore Ekzekutive në QKSGJ.

“Kjo politikë mbron barazinë gjinore si një vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë kosovare (…) dhe Qeveria mbetet e përkushtuar për zbatimin e politikave aktive në fushën e të drejtave të njeriut, mbrojtjen nga diskriminimi dhe krijimi i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës” deklaroi Kryeministri Hoti.

Gjithashtu, Shefi i Zyrës për Qeverisje të Mirë, z. Habit Hajredini shtoi se ata janë “të përkushtuar për të zbatuar dhe monitoruar këtë Politikë dhe për të mbrojtur punonjësit nga diskriminimi”. 

Kjo Politikë u iniciua nga QKSGJ-ja në bashkëpunim me ZQM-në në vitin 2008 me mbështetjen financiare të USAID-it. Sidoqoftë, përgjatë viteve QKSGJ vazhdoi punën në përditësimin e Politikës në përputhje me ligjin në fuqi dhe vazhdoi avokimin e saj tek çdo institucion për ta shtyrë atë në agjendën Qeveritare.

Ky rrëfim është pjesë e Aksionit për parandalimin e diskriminimit të të gjitha formave në vendin e punës, të mbështetur nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe partnerët e tyre përmes aksionit “Avancimi i të Drejtave të Grave në Punë”. Ky aksion është financuar nga Bashkimi Evropian dhe është bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim  Ndërkombëtar (Sida). Përgjegjësinë për përmbajtjen e këtij rrëfimi e bartë ekskluzivisht Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose Sida-s.