Raporti i OSBE-së: Dhuna ndaj grave ende e përhapur në Kosovë

Më shumë se gjysma e grave që kanë pasur partner thonë të kenë përjetuar dhunë psikike, fizike apo seksuale nga partneri i tyre, që nga mosha 15 vjeçare. Këto të dhëna janë publikuar në anketën e lansuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të premten më 22 nëntor. Raporti për Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë, u hulumtua nga IPSOS, me mbështetjen e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK). 

Këshilltarja Gjinore e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Biljana Nastovska prezantoi këtë anketë e cila përmban disa gjetje të rëndësishme.  

“Gati dy të tretat e grave të anketuara mendojnë se dhuna në Kosovë nuk është thjesht e zakonshme, por në fakt shumë e zakonshme”, tha Ambasadori Jan Braathu, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Ai theksoi rëndësinë e mekanizmave që shërbejnë për të raportuar shkeljet apo dështimet institucionale në mbrojtjen e viktimave. 

Në këtë drejtim, Adelina Berisha, Zyrtare për Avokim dhe Hulumtim mbi dhunën me bazë gjinore në RrGK, theksoi rolin e rëndësishëm të organizatave për të drejtat e grave, organizatat të cilat kanë punuar shumë me dekada të tëra për të përmirësuar situatën e grave dhe vajzave që kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës.

 “Në një periudhë kur vendi ende po trasonte rrugën e institucioneve vendore, organizatat e grave, të udhëhequra nga nevoja, filluan strehimin e grave dhe vajzave që po përjetonin forma të ndryshme të dhunës. Disa të tjera, tashmë kanë mbi 20 vite që ofrojnë këto shërbime, duke filluar punën qysh nga periudha e konfliktit të fundit në Kosovë”, tha Berisha.

Raporti ofron disa rekomandime specifike për adresimin e dhunës ndaj grave. 

Pjesëmarrës të tjerë në këtë panel ishin: Vlora Nushi Tuzi, UN Women Kosova, Ambasadori Jan Braathu, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Ambasadorja Nataliya Apostolova, Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Naim Qelaj, Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje; dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. 

Lexoni raportin e plotë KËTU.