Me 29 nëntor, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), organizoi punëtorinë “Roli i Medieve në raportim të dhunës në familje”. Kjo punëtori mblodhi institucionet kryesore që kanë rol në parandalim, luftim dhe mbrojtje nga dhuna në familje si dhe përfaqësues nga organizatat joqeveritare, përfshirë Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) përfaqësuar nga Adelina Berisha, koordinatore për avokim kundër dhunës me baza gjinore. Në këtë tryezë të pranishëm ishin poashtu: Koordiantori Nacional kundër Dhunës në Familje z. Naim Qelaj, Udhëheqësja e Njesisë Kundër Dhunës në Familje pranë Policisë së Kosovës znj. Tahire Haxholli, gazetarë nga mediume të ndryshme vendore. Hapjen dhe mirëseardhjen në këtë takim u dëshiroi Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Jan Braathu.
Gjatë panelit, znj. Berisha foli për rëndësinë e bashkëpunimit mes medieve dhe organizatave jo-qeveritare në parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje. Ajo theksoi se “Falë këtij bashkëpunimi, ne kemi arritur të identifikojmë rastet e dhunës në familje, të cilat pastaj i kemi ndihmuar duke angazhuar avokatë për të përfaqësuar familjarët dhe viktimat e dhunës në gjyakata. Deri më tani kemi asistuar dy raste, me ndihmën e Agjencionit Austriak për Zhvillim (ADA), qëllimi i të cilave nuk është kufizuar vetëm në ofrim të mbështetjes ligjore, por edhe në identifkim të shkeljeve nga institucionet vendore”.
Tutje, ajo theksoi rëndësinë që mediat kanë në ndryshim të bindejve të qytetarëve ndaj dhunës në familje, dhe theksuar se “Mediat duhet të jenë pishtarë të ndryshimeve të botëkuptimeve mbi dhunën, rolet dhe stereotipet gjinore, (mos)ndëshkueshmërinë e dhunës si dhe në parandalim të saj”. Berisha ritheksoi se RrGK vazhdimisht u bën thirrje mediave vendore që të koncentrohen më shumë në ushtruesit e dhunës e jo në viktimat si dhe të jenë të kujdesshme gjatë raportimit të rasteve, duke u siguruar që identiteti i viktimave të mbrohet, të mos insistohet në intervistim të viktimave pasi që tërë kjo mund të ndikojë në ritraumatizim dhe ri-viktimizim të tyre. Përveq kësaj, ajo rikujtoi mediat vendore për detyrat dhe aktivitetet që ato duhet të ndërmarin me qëllim të zbatimit të Strategjisë Kombëtare dhe planit të Veprimit kundër dhunë në familje 2016-2020, si dhe ritheksoi se qeveria e Kosovës ka për obligim ligjor të përkrahë financiarisht iniciativat drejt realizimit të aktiviteteve që dalin nga kjo strategji.