Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) është strategji për integrimin e perspektivës gjinore në proceset buxhetore. BPGJ është proces shume i rëndësishëm dhe obligativ për të gjitha organizatat buxhetore në Kosovë. Duke konsideruar që ky është proces i ri dhe mungon ekspertiza lidhur me të, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), ka filluar t’u ofrojë asistencë dhe mentorim organizatave të ndryshme buxhetore, për mënyrën e integrimit të BPGJ-së.
Këtë vit, RrGGK është duke bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), me qëllim që të integrojnë perspektivën gjinore në MASHT, sidomos nw procese buxhetore the politika fiskale.
Me 27 Mars, përfaqësueset e RrGGK, Nicole Farnsworth, Menaxhere e Programit dhe Donjeta Morina, Kordinatore mbajtën një punëtori fillestare mbi BPGJ-në në MASHT, ku morrën pjesë 22 persona, përfshirë udhëheqës të departamenteve dhe divizioneve të ndryshme, si dhe zyrtarë të buxhetit.
Hapja u bë nga Z. Xhavit Dakaj, Sekretar i Përgjithshëm i MASHT dhe Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK.
Në fjalimin hyrës, Sekretari Dakaj shprehu gëzimin e tij lidhur me bashkëpunimin me RrGGK-në, duke folur për rëndësinë e integrimit të BPGJ-së. Në anën tjetër, zn. Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK, shprehu kënaqësinë për këtë bashkëpunim duke shpresuar që do të rezultoj i suksesshëm. Punëtoria ofroi informacione mbi kornizën ligjore, definicione dhe shembuj shumë praktik.
“Ekzistojnë dy keqkuptime të përhapura mbi BPGJ-në, për shkak të të cilave shumë organizata buxhetore po hezitojnë të fillojnë integrimin e BPGJ-së,” tha Donjeta Morina gjatë prezantimit. “Këto keqkuptime përfshijnë besimin e gabueshëm që BPGJ-ja është diçka vetëm për gra dhe që për integrimin e BPGJ-së duhen fonde shtesë,” shtoi ajo, duke theksuar që të dy mendimet janë të gabuara.
Në fund, udheheqësit e departamenteve dhe divizioneve dhanë shembuj praktit nga fushat e tyre, ku do të mund të integronin BPGJ-në në të ardhmen.
Kjo punëtori ishte vetëm hapi i parë në procesin e institucionalizimit të BPGJ-së në MASHT. Gjatë javës së ardhshme, Donjeta Morina, Koordinatore në RrGGK, do të takohet me të gjithë udhëheqësit e departamenteve/divizioneve për të marrë të dhëna cilësore dhe sasiore. Kjo punëtori u mbështet nga Austrian Development Agency.