RrGK dhe IKD mbajnë punëtori me sindikatat për diskriminimin me bazë gjinore dhe raportimin e tij

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), më 26 nëntor kanë mbajtur punëtorinë mbi kornizën ligjore dhe mekanizmat e raportimit të rasteve të diskriminimit me bazë gjinore në tregun e punës në Kosovë.

Kjo punëtori informoi sindikatat e punës më shumë rreth gjetjeve të hulumtimit të RrGK-së “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”, si dhe rreth kornizës ligjore mbi diskriminimin në baza gjinore.

Adelina Tërshani, Koordinatore e Projekteve në RrGK, tha se hulumtimi tregon forma nga më të ndryshmet të diskriminimit me të cilat gratë përballen në tregun e punës.

“Gratë pyeten në intervista pune për planifikim familjar dhe kjo është një nga format më të shprehura të diskriminimit. Gjithashtu ngritja në karrierë është mjaft problematike sepse disa potencojnë që X lloj pune është vetëm për burra dhe shpesh herë gratë nuk ngriten në pozita të punës për këto arsye”, shtoi ajo.

Gjatë punëtorisë, përfaqësuesit e sindikatave diskutuan mbi praktikat më të mira për parandalimin e diskriminimit në baza gjinore në tregun e punës.

Zjavere Keqmezi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës potencoi se gratë hasin shumë diskriminim në vendin e tyre të punës.

“Një ndër temat që duhet të flitet më së shumti është edhe ngacmimi seksual. Ngacmimi seksual psikologjik është shumë i pranishëm te ne. Gratë e heshtin këtë sepse stigmatizohen dhe detyrohen të heshtin. Andaj, anonimiteti do të garantonte që raportimi i ngacmimit seksual në vendin e punës të adresohet”, shtoi ajo.

Tutje, Valmira Rashiti, Koordinatore e Projekteve në RrGK, vlerëson se ndjeshmëria gjinore në rastet e diskriminimit nuk përbën shkelje, përkundrazi kjo ndihmon në trajtimin më të mirë të çështjeve në gjykata.

“Ndjeshmëria gjinore duhet të garantohet për shkak se gjithmonë ekziston frika e publikimit të rastit në publik dhe burrat nuk i frikësohen përballjes dhe publikimit të rasteve, por te gratë qëndron më ndryshe, andaj dhe duhet të garantohet kjo ndjeshmëri gjinore”, shtoi ajo.

Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, e cila ka ndihmuar disa raste të diskriminimit me bazë gjinore në vendin e punës dhe ka i monitoruar ato në procese gjyqësore, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit që ka pasur me RrGK-në për trajtim më të mirë të këtyre rasteve.

“Nga bashkëpunimi që kemi pasur me Rrjetin e Grave të Kosovës e kemi parë sa e rëndësishme është të mbështeten gratë në procedura gjyqësore për të raportuar diskriminimin me bazë gjinore në tregun e punës. Rrjedhimisht, kemi mbështetur dhe monitoruar shumë raste të tilla”, tha ajo.

Punëtoria u përmbyll me diskutim rreth diskriminimit me bazë gjinore në vendin e punës, trajtimi i rasteve të diskriminimit në vendet e punës dhe mbështetjen që marrin këto raste përmes organizatave joqeveritare në Kosovë.

Kjo punëtori u financua nga Bashkimi Evropian (BE) dhe u bashkë-financua nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sida), në kuadër të nismës “Fuqizimi i OSHC-ve në Luftimin e Diskriminimit dhe Përmirësimi i të Drejtave të Grave në Punë”.