Me kërkesë të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) sot, me 27 korrik, u mbajt takimi mes RrGK dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK). Përfaqësueset e RrGK-së, drejtorja ekzekutive Igballe Rogova, Adelina Berisha, koordinatore për avokim në luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe Iliriana Banjska koordinatore e projektit kundër diskriminimit me bazë gjinore në punë, u mirëpritën nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi.
Gjatë këtij takimi, znj. Rogova njohtoi kryesuesin e KGjK-së për punën që RrGK ka bërë, që nga themelimi, në luftimin e dhunës me bazë gjinore si dhe diskriminimit me bazë gjinore në punë, duke theksuar në veçanti këto dukuri si qëllim primar i këtij bashkëpunimi të rëndësishëm.
Ndërkaq, z. Idrizi theksoi se “Edhe në të kaluarën bashkëpunimi me shoqërinë civile në monitorim të gjyqësorit ka rezultuar me përmirësimin e punës së gjyqtarëve, dhe se edhe me këtë rast padyshim rezultatet do të jenë të larta”. Ai poashtu theksoi se dhuna me bazë gjinore dhe format e tjera të diskiminimit me bazë gjinore duhet të luftohen dhe se vetëm me një bashkëpunim të mirëfilltë me shoqërinë civile mund të arrijmë deri tek një shoqëri që realizon dhe promovon barazinë gjinore dhe lufton padrejtësitë që mund vijnë si rezultat i pabarazisë gjinore.