RrGK dhe strehimoret mbajnë trajnime me Mekanizmat Koordinues në lidhje me menaxhimin e rasteve të dhunës

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim me strehimoret e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka mbajtur trajnime me Mekanizmat Koordinues në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe Kllokot.

Në kuadër të këtij trajnimi, institucionet lokale janë trajnuar mbi menaxhimin e rasteve, rehabilitimin, riintegrimin e viktimave të dhunës në familje si dhe legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar.

Ekspertja e kontraktuar nga RrGK, Ariana Qosaj Mustafa e vlerëson si një përvojë unike trajnimin e ofruar nga RrGK lidhur me ngritjen e kapaciteteve në ofrimin e shërbimeve dhe menaxhimin e rasteve për Mekanizmat Koordinues Kundër Dhunës në Familje në nivelin komunal.

Sipas saj diskutimet e ofruara nga pjesëmarrësit institucionalë si dhe strehimoret që ofrojnë asistencën e viktimave të dhunës në baza gjinore, ishin të hapura dhe inter-aktive duke identifikuar edhe sfidat me të cilat këto institucione ballafaqohen në baza ditore.

“Këto sfida nisin prej atyre në infrastukturë, kufizimeve në ofrimin e asistencës afatgjate, riintegrimin afatgjatë të viktimës, si dhe nevojën e përkrahjes institucionale e cila do te duhej te ishte e vazhdueshme. Zbatimi i standardeve të Konventës së Stambollit për ndihmë viktimave të dhunës në baza gjinore si dhe fokusi me qendër në viktimën, ishte i mirëpritur nga institucionet, të cilët edhe ceken nevojën e tyre të vazhdueshme në rritjen e këtyre kapaciteteve si me trajnime ashtu edhe me ofrimin e përkrahjes afatgjate për viktimat, nga donatoret dhe qeveria qendrore,” tha Qosaj Mustafa. 

Përgjatë muajve të fundit Rrjeti i Grave të Kosovës gjithashtu ka organizuar trajnimin e përfaqësuesve të strehimoreve dhe qendrave ditore mbi djegien profesionale (burnout).

Duke qenë se përfaqësueset e strehimoreve dhe qendrave ditore kanë një ambient pune të ngarkuar emocionalisht dhe shpesh e vënë veten në rrezik për të mbrojtur viktimat e dhunës me bazë gjinore, kjo mund të kalojë në djegie profesionale.

Andaj, ato janë trajnuar se si të ruajnë mirëqenien personale në mënyrë që të mbrohen nga djegia profesionale.

Nisma për Institucionalizimin e Shërbimeve cilësore të Rehabilitimit dhe Integrimit për të Mbijetuarit e Dhunës mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me fondet e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim.