Bashkë më të forta! RrGK dhe AWEN thellojnë bashkëpunimin

“Bashkë më të forta”! Është ky mesazhi që ka përcjellë takimet në mes të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN).

Një delegacioni i AWEN ka qëndruar në Kosovë më 12 dhe 13 tetor gjatë së cilës kohë me përfaqësueset e RrGK-së shkëmbyen informacione për aktivizmin në fushën e mbrojtjes  së të drejtave të grave në të dy shtetet.

Ato folën për historikun e të dy rrjeteve, programeve aktuale, strategjive të ndjekura për lobim, avokimeve si dhe strategjive për ngritje fondesh.

Në ditën e parë të vizitës, Drejtorja Ekzekutive e RrGK Igballe Rogova i njoftoi mysafiret me historikun e RrGK-së, duke vënë në pah se nga 27 organizata sa ishin në fillim, Rrjeti tani ka 190 anëtare. Por, Rogova theksoi se aq sa është e rëndësishme bashkëpunimi në mes të organizatave në Kosovë, po aq i rëndësishëm është edhe thellimi i bashkëpunimit me rrjetin e Shqipërisë.

 “Prandaj mendoj se të dy rrjetet duhet të thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen,” tha ajo, duke i njoftuar me programet e veçanta të RrGK-së.

Ines Leskaj drejtoreshe e AWEN u shpreh e kënaqur për organizimin e takimeve duke bërë thirrje që të thellohet ky bashkëpunim.

“Për ne si rrjet i fuqizimit të gruas në Shqipëri ka qenë shumë e rëndësishme kjo vizitë pasi na ka sjellë në vëmendje fuqinë e të qënit bashkë e bashkëpunimit mes organizatave aktiviste mes Kosovës e Shqipërisë. Kosova për ne sa i përket aktivizmit social e sidomos sa i përket aktivizmit social e sidomos për barazi gjinore ka qenë një model dhe mendoj që ka qenë një vizitë që na ka frymëzuar edhe do të na çojë drejt rrugës së bashkëpunimit për të qenë aktiviste së bashku”, tha ajo.

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitim e të Mbijetuarve të Torturës, tha se RRGK-ja që nga fillet e saj ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm.

“Mendoj se rrjeti ne vetvete ka arritur të ketë aktivizëm civil për faktin se ka zhvilluar edhe 200 organizata, organizatë e cila ka arritur të ndikojë në politikat e shtetit në kuptimin e legjislacionit dhe pavarësisht lëvizjeve politike që i ka Kosova, rrjeti ka qenë gjithmonë neutral dhe nuk është ndikuar nga politikat ditore. Mendoj se pavarësia profesionalizmi dhe paanshmëria e ka bërë që rrjeti me qenë këtu që është sot, pra të jetë zë i fuqishëm”.

Në ditën e dytë vizitës në Prishtinë, AWEN ka qëndruar në zyrën e RrGK-së me ç’rast stafi i ka njfoftuar në detaje me gjashtë programet e RrGK-së.