RrGK finalizon Strategjinë e re për vitet 2019-2022

Me 26 nëntor, në Hotel Sirius në Prishtinë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ftoi anëtaret, anëtaret e Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë dhe bashkëpuntorët kyç për të finalizuar draftin e Strategjisë së re të RrGK-së për vitet 2019 – 2022.

Me mbështetjen e Fondacionit Kvinna till Kvinna, rrugëtimin e planifikimit dhe përpilimit të Strategjisë së re RrGK bashkë me anëtaret e nisën në takimin dyditor në Durrës me 27 – 28 prill, duke pasur parasysh që Strategjia e RrGK 2015-2018 do të përfundonte në fund të këtij viti, gjatë të cilit edhe ishte vendosur për futjen e programit të ri lidhur me arsimin. Tutje, gjatë gjithë vitit RrGK ka mbledhur të dhëna për të plotësuar Strategjinë e re.

Gjatë takimit në nëntor u prezantuan qëllimet afatgjata të secilit program dhe rezultatet e pritura të draftit final të Strategjisë së re të RrGK për vitet 2019-2022. Bazuar në fushat programatike, pjesëmarrësit u ndanë në grupe punuese për të diskutuar së bashku duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ndryshimet dhe sugjerimet e fundit në dokumentin aktual, marrë parasysh që në dokument paraqiten ligjet relevante, situata, arritjet e Rrjetit dhe në fund rezultatet e pritura në të cilat përshkruhen në vija të trasha planet e punës për katër vitet e ardhshme.

Kuvendi i anëtareve të RrGK-së ka vendosur që fushat programatike të Strategjisë së RrGK për vitet 2019-2022, janë: 1. Fuqizimi i lëvizjes feministe në Kosovë; 2. Gratë në politikë dhe vendimmarrje; 3. Të drejtat e grave në kujdesin shëndetësor; 4. Programi kundër dhunës me bazë gjinore; 5. Fuqizimi ekonomik i grave, dhe 6. Qasja e vajzave dhe grave në edukim.

Pas një pune njëvjeçare, Strategjia e RrGK-së për vitet 2019 – 2022 do të miratohet në mbledhjen vjetore të Kuvendit të Anëtareve që do të mbahet me 15 dhjetor në Prishtinë.