RrGK i bashkohet protestës masive për mbrojtjen e vajzave dhe grave

Rrjeti i Grave të Kosovës i është bashkuar protestës masive, të mbajtur më 31 gusht, pas rastit të dhunimit seksual të një 11 vjeçareje nga pesë persona më 27 gusht në një park në Prishtinë.

RrGK përsëriti për të disatën herë se rastet e tilla duhet të shërbejnë si moment zgjimi dhe arsye shtesë që këto krime ndaj vajzave e grave të trajtohen me prioritet, dhe që kryesit e këtyre krimeve të dënohen pa asnjë kompromis.

Me t’u informuar nga mediat në lidhje me rastin e fundit, RrGK ka reaguar përmes një kumtese për media duke kërkuar që të dyshuarve për kryerjen e veprës penale “dhunim” t’u shqiptohet masa e paraburgimit deri sa te merret një vendim i prerë nga gjykata dhe jo të lirohen pas 48 apo 24 orësh. 

“RrGK bën thirrje që të dyshuarit pas vlerësimit të provave të marrin dënimin meritor konform peshës së veprës. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nenit 227, theksohet se “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet… ndërsa në rastet kur viktima është e mitur dënimi duhet të jetë jo më pak se pesë (5) vjet deri në 20 vjet burgim efektiv.”

RrGK në mënyrë specifike kërkon që ky rast të trajtohet me ndjeshmëri gjinore, ashtu siç parashihet në Konventën e Stambollit, si dhe të sigurohet trajtimi i duhur psiko-social i viktimës.

RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private.

Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mbi 70% të rasteve të dhunimeve seksuale viktima janë vajzat e mitura. Dhuna seksuale ndaj grave dhe vajzave dhe çdo lloj tjetër i dhunës ndaj grave dhe vajzave duhet të luftohet nga e gjithë shoqëria dhe çdo ushtrues i dhunës duhet të marrë dënimet meritore nga organet kompetente.

Po ashtu, bëjmë thirrje që gjatë punës me të miturën të ketë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme.

Pavarësisht se fëmijët dhe gratë janë grupet më të prekura nga dhuna me bazë gjinore, dhe se kohët e fundit janë bërë publike raste serioze të dhunimeve ndaj vajzave, ne jemi dëshmitarë të një heshtjeje institucionale dhe trajtimi jo serioz të këtyre rasteve nga ana e drejtësisë. RrGK do të monitorojë këtë rast në vazhdimësi dhe nuk do të ndalet derisa drejtësia për rastin e fundit dhe rastet tjera të vrasjes e dhunës ndaj vajzave e grave të vihet në vend.

RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850.