RrGK ka përmbyllur ciklin e trajnimeve mbi Protokollin Shtetëror për Trajtim të Rasteve të Dhunës Seksuale

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim me Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Qendrën e Përfshirjes së Grave në Novobërdë, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “My Home” në Ferizaj dhe Qendrën për Mirëqenien e Gruas në Pejë, gjatë muajit shtator dhe tetor, kanë mbajtur cikël të trajnimeve për Protokollin e Rasteve të Dhunës Seksuale me Mekanizmin Koordinues Kundër Dhunës në Familje me institucionet lokale të komunës së Novobërdës, Kaçanikut, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës dhe Deçanit.

Trajnimet kanë për qëllim që t’i informojnë institucionet lokale me këtë protokoll përgjegjësitë e tyre, menaxhimin e rasteve të dhunës seksuale dhe hapat që duhet të marrin institucionet.

Zyrtarja e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në RrGK, Besarta Breznica, tha se cikli i trajnimeve për Protokollin Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale është cilësuar si mjaft efektiv marrë parasysh numrin e pjesëmarrësve që kanë përfituar nga këto trajnime. 

Ndërkaq trajnerja Monika Kocaqi, tha se trajnimet mbi Protokollin Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale në Kosovë, të zhvilluara në gjashtë Komuna të vendit, përveçse bënë të mundur njohjen e pjesëmarrëseve e pjesëmarrësve me ekzistencën dhe përmbajtjen e këtij dokumenti shtetëror kaq të rëndësishëm e të detyrueshëm për zbatim, nxorrën në pah edhe një tërësi nevojash që duhet të adresohen urgjentisht.

“Së pari ka nevojë të jashtëzakonshme për të organizuar trajnime të thelluara me secilin grup të profesionisteve/profesionistëve të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e Protokollit, (njëherazi edhe antare të Mekanizmave Koordinues kundër Dhunës në Familje). Këto trajnime duhet të synojnë trajtimin e thelluar të kësaj forme të dhunës, shkaqeve e pasojave, mënyrës së menaxhimit të rasteve varësisht tipologjisë së tyre, të punuarit në mënyrë të koordinuar e në zbatim të përgjegjësive ligjore e institucionale, të paraparë edhe në Protokoll”, tha Monika Kocaqi.

Sipas zonjës Kocaqi trajnimet duhet të jenë të unifikuara, me module të njohura e akredituara dhe duhet të jenë të vazhdueshme e të organizuara në disa nivele, bazuar në një vlerësim paraprak të nevojave të secilit grup të profesionisteve/profesionistëve.  Më pas u evidentua nevoja për ndërhyrje të menjëhershme në drejtim të plotësimit të kapaciteteve institucionale me burime njerëzore, financiare e infrastrukrurore.

Ndërkohë Drita Cakiqi, mbrojtese e viktimave, njëra nga pjesmarrëset në trajnim tha se “Trajnimet për Protokollin Shteteror, janë shumë të nevojshme. Ky është një dokument i ri dhe institucionet kanë nevojë për trajnime. Gjithashtu gjatë këtyre trajnimeve ne po trajtojmë raste konkrete të dhunës seksuale, që është ndihmesë për ne gjatë punës që kemi me viktima”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale është lansuar me 5 dhjetor 2022 nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Kjo nismë mbështetet nga Fondi Kanadez për Iniciativa Lokale.