RrGK kontribuon me rekomandime në konsultimet publike për ERA

Më 24 prill, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mori pjesë në konsultimet publike me shoqërinë civile të organizuara nga Ministria e Integrimit Evropian (MIE) për informim rreth prioriteteve të Zbatimit të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) II, si dhe përcaktimin e bashkëpunimit të mëtejmë.

Sa u përket qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, RrGK-ja rekomandoi për mbështetje të vazhdueshme të Qeverisë në krijimin dhe operacionalizimin e sistemit të sigurt të menaxhimit të të dhënave ndërinstitucionale dhe sistemit për menaxhimin e rasteve, duke përfshirë të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë nga Gjykatat, Prokuroria dhe Policia. RrGK poashtu përmendi edhe rëndësinë e përpilimit të një analize gjinore para se të aplikohen masat e veprimit apo politikat për luftimin e informalitetit ekonomik, si dhe nënvizoi rëndësinë e investimit të mëtutjeshëm në qendrat parashkollore, me fokus në zonat rurale.

Ricardo Serri, Zëvendës shef i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë falënderoi pjesëmarrësit e shoqërisë civile për kontributin e dhënë dhe shtoi se ndër risitë e ERA II janë përfshirja e të drejtave të njeriut si dhe e reformave për mjedisin. Ai shtoi se objektivat e ERA-s përafrojnë Kosovën me BE-në.

Si përfaqësuesit e MIE, ashtu edhe ata të Zyrës së BE-së, vlerësuan lart kontributin e RrGK-së dhënë përmes rekomandimeve specifike gjatë fazës së konsultimeve publike.

MIE bëri të ditur se ky është i pari nga konsultimet e parapara me shoqërinë civile në kuadër të hartimit të planit të veprimit të ERA-s.