RrGK mban mbledhjen e rregullt me anëtaret

Më 19 shtator 2022 Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)ka mbajtur mbledhjen e rregullt të anëtarëve ku morën pjesë rreth 50 përfaqësues të organizatave të ndryshme.

Në fillim të mbledhjes u vlerësua puna e bërë ndër vite nga RrGK, organizatat anëtare dhe bordi.  

Gjatë diskutimeve u shpreh edhe njëherë indinjata e thellë në lidhje me rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtine si dhe me trendin në rritje të dhunës seksuale në Kosovë.

“Rrjeti nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi. Dhuna gjithmonë ka ekzistuar, por falë punës shumëvjeçare të organizatave për të drejtat e grave kjo dhunë tashmë po raportohet,” tha Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova.

Në mbledhje u fol edhe për rëndësinë e zbatimit të Strategjisë se re katërvjeçare të RrGK-së, e cila pritet të finalizohet së shpejti. Duke i njoftuar anëtaret se RrGK tashmë numëron 190 anëtare, Rogova tha se një instrument i rëndësishëm që duhet të rikthehet është kodi mbi etikën dhe mirësjelljen. Këto dhe tema tjera të rëndësishme do diskutohen gjithashtu në Kuvendin e rregullt vjetor që mbahet në fund të vitit.

Rogova po ashtu ndau një lajm të mirë me anëtaret duke i njoftuar se në muajin tetor Rrjeti i Grave në Shqipëri, AWEN, do të jenë në Kosovë për t’u takuar me RrGK dhe anëtaret.

Në mbledhjen me anëtare u diskutua edhe për Fondin e Grave të Kosovës dhe mënyrat se si ky fond do të vazhdojë në të ardhmen punën e tij shumëvjeçare.

Duke e vlerësuar lart rolin e fondit anëtaret kanë propozuar vazhdimin e tij, pasi që “ai iu ka ndihmuar shumë në zbatimin e projekteve të tyre që kanë synim avancimin e barazisë gjinore e fuqizimin e organizatave të tyre“.

Një nga idetë e dhëna ishte krijimi i një fondi emergjent për ato organizata që përballen me vështirësi financiare.

Në një pjesë të mbledhjes është biseduar edhe për takimet konsultative për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor nëpër disa komuna të Kosovës. Anëtaret i vlerësuan si të suksesshme këto takime, meqë sipas tyre kanë arritur që të ndryshojnë kahjen e shpërndarjes së buxhetit nëpër komuna në mënyrë që edhe vajzat dhe gratë të përfitojnë nga buxhetet komunale.

Ky aktivitet u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.