RrGK mirëpret miratimin e Planit Kombëtar për Barazi Gjinore 2020-2024

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka mirëpritur miratimin e Planit Kombëtar për Barazi Gjinore (PKBGj) 2020-2024, me shpresën se do të shërbejë si nxitje shtesë për institucionet e Kosovës për të siguruar që barazinë gjinore ta përfshijnë si pjesë të pandarë në politikat dhe praktikat e tyre për respektimin, përkrahjen dhe promovimin e barazisë gjinore.  

RrGK ka qenë një nga palët kyçe në procesin e hartimit të këtij plani dhe e vlerëson faktin që ky plan bazohet edhe në analizat dhe rekomandimet e Rrjetit.  

Barazia gjinore, si e drejtë njerëzore, përmes këtij plani synon të vendoset në qendër të proceseve transformuese në Kosovë në kuadër të të gjitha strukturave, institucioneve, politikave, procedurave, praktikave, programeve qeveritare, agjencive, shoqërisë civile, dhe sektorit privat si dhe komunitetit të donatorëve.   

Fuqizimi Ekonomik dhe Mirëqenia Sociale, Zhvillimi Njerëzor, Rolet dhe Marrëdhëniet Gjinore dhe të Drejtat e Grave, Qasja në Drejtësi dhe Siguri përbëjnë tre shtyllat strategjike të këtij plani.  

Përmes bashkëpunimit profesional, RrGK do të vazhdojë të jetë partner i Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGj) gjatë zbatimit të PKBGJ-së për të promovuar dhe fuqizuar barazinë gjinore në Kosovë.