RrGK pjesë e diskutimit të Zensko  Pravo  për të drejtat e grave 

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Zensko Pravo (Shqip: Të drejtat e Grave)më 10 dhjetor në Galerinë Aquarius në Mitrovicë të Veriut ka organizuar performancë artistike dhe diskutim mbi të drejtat e grave dhe të komunitetit LGBT. 

Ky aktivitet i cili u realizua në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës mblodhi paneliste, të cilat së bashku diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë e Kosovës për të luftuar dhunën dhe diskriminimin me bazë gjinore.

Pjesë e panelit ishin Drejtorja e Zensko Pravo, Ruzica Simić, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, Kryetarja e Bordit të RrGK-së, Ariana Qosaj-Mustafa, si dhe Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (EKBK). 

Debati u përqendrua në ligjet dhe mekanizmat e Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe për standardet ndërkombëtare në këtë çështje.  

Richardson ka përmendur të drejtat e garantuara nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe nevojën për përpjekje të vazhdueshme për arritjen e barazisë gjinore dhe për luftimin e dhunës me bazë gjinore.  Ajo ndër tjerash ka vënë theksin te rëndësia jetike që ka ngritja e vetëdijes për t’i ndryshuar normat që mirëmbajnë pozitën nënshtruese të grave ndaj burrave në shoqëri.  

Tutje, Rogova, Qosaj-Mustafa dhe Simić ndanë njohuritë dhe përvojën e tyre si aktiviste për të drejtat e grave. Përmes debatit të hapur, panelistet bashkë me të pranishmet diskutuan për rolin e grave përgjatë historisë. 

Qosaj-Mustafa ka folur më gjerësisht për mekanizmat e nevojshëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. 

Ky aktivitet u shoqërua nga performanca artistike e quajtur “Këmbët ngjyrë portokalli”,  e cila ka portretizuar vështirësitë që gratë dhe burrat hasin nga dhuna e ushtruar për shkak të identitetit të tyre gjinor. Kjo u bë me qëllim që përmes artit të rritet vetëdija për të gjitha format e dhunës me bazë gjinore.