ShEPF mban trajnim lidhur me Konventën e Stambollit

Përfaqësuese të organizatave të grave nga Gjakova, Juniku dhe Rahoveci ishin pjesë e tryezës me temë “Konventa e Stambollit dhe Strategjia Kombëtare Kundër Dhunës në Familje”, të mbajtur më 24 janar në Gjakovë nga Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes (ShEPF).

Me këtë rast organizatat shtuan rekomandimet e tyre për Strategjinë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje.

Bahrije Vehapi, Koordinatore e Projektit, në fillim paraqiti rëndësinë e kësaj nisme, përmes së cilës synohet zhvillimi dhe ngritja e kapacitetit të organizatave të grave në tri komunat e sipërpërmendura.

“Shumë organizata të grave nga zonat e përfshira në projekt nuk kanë njohuri lidhur me rëndësinë e kësaj Konvente në ngritjen e përgjegjësisë së institucioneve për të adresuar dhunën në familje me elementet e dhunës mbi baza gjinore, duke përfshirë edhe dhunën seksuale, e cila fushë ka munguar në strategjitë e mëparshme kombëtare” tha ajo.

Ndërsa Arbnore Shehu, Juriste, njoftoi të pranishmet me qëllimin kryesor të kësaj konvente në lidhje me parandalimin e dhunës në familje si dhe mbrojtjen ndaj personave që kanë përjetuar këtë lloj të dhunës.

“Nevoja për ngritje të vetëdijes dhe njohurive lidhur me Konventën e Stambollit dhe interpretimi juridik dhe praktik i kësaj konvente në punën e drejtpërdrejt të OJQ-ve me viktimat e dhunës mbi baza gjinore është parë gjatë trajnimeve për këtë Konventë të realizuara nga shoqata Medica Kosova” , tha Shehu.

Kurse, Emirjeta Kumnova, Psikologe, theksoi rëndësinë e fushatave dhe programeve që kanë për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit, duke përfshirë bashkëpunimin me institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut dhe organet përgjegjëse për arritjen e barazisë gjinore, shoqërinë civile , e veçanërisht organizatat e grave.

Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).

Përveç  SHEPF, përfituese nga raundi i 13-të i FGK-së janë edhe 17 organizata anëtare të tjera. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.