ShEPF punon drejt ngritjes së vetëdijes kundër dhunës dhe ngacmimeve seksuale në shkolla

Më 23 qershor, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata për Edukimin dhe Përkujdesjen e Familjes (ShEPF) në kuadër të projektit “Përmirësimi i njohurive  dhe fuqizimi i të rinjve për një jetë pa dhunë dhe ngacmime seksuale” ka mbajtur takim informues me nxënës të klasave të teta të shkollës “Jan Salihu” në fshatin Molliqaj të komunës së Gjakovës.  

Në takimin me  22 nxënës psikologia dhe juristja i kanë njoftuar këta të fundit për dhunën në familje, ngacmimet seksuale dhe bullizmin.  

Juristja Edona Rudi i ka informuar nxënësit për format e ndryshme të dhunës si: dhunën psiqike, fizike e seksuale. Ajo ka shpjeguar më detajisht  ngacmimet seksuale duke i njoftuar të rinjtë se të gjitha këto forma të dhunës janë vepra penale. Ndërsa psikologia Fatjona Karakushi i ka njoftuar nxënësit për pasojat e rënda që çdo formë e dhunës mund të ketë mbi viktimat dhe të mbijetuarit potencial.

Ajo po ashtu ka theksuar rolin e psikologut jo vetëm në raportimin e ngacmimeve seksuale në shkollë, por edhe për të tejkaluar ankthin, frikën dhe pasigurinë që mund ta ndiejnë të mbijetuarit.

Ky takim është përkrahur në kuadër të raundit të 17 të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së RrGK “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.