ShMAKS kërkon përkrahje institucionale për fuqizimin e rolit të mamive në Kosovë

Mbyllja e materniteteve apo vështirësitë e shumta në funksionimin e tyre në disa komuna të Kosovës siç janë Kamenica, Dragashi, Malisheva, Kaçaniku e Istogu, ka bërë që shumë gra të kërkojnë ndihmë në komunat e tjera me të afërta, e po ashtu një numër i madh i mamive të mbesin pa punë. 

Për shumë shtatzëna mbyllja e materniteteve ka qenë pengesë tejet e madhe, duke numëruar këtu edhe shpenzimet shtesë si sfidë në vete.     

Kjo situatë ka ndryshuar për të mirë falë aktiviteteve të shumta të ndërmarra si pjesë e nismës “Fuqizimi i rolit të shërbimeve profesionale të mamive”, ndërmarrë nga Shoqata e Mamive të Kosovës (ShMAKS).      

Përkrahjen e fituar nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), ShMAKS-u e ka përkthyer në tryeza diskutimi, takime me krerë institucional, hartim të rekomandimeve, draftim të kërkesës për nisjen e projektligjit për shërbimin profesional të mamive, si dhe në promovim medial për ngritje të vetëdijes për rëndësinë e profesionit të mamisë në mirëqenien e nënave dhe fëmijëve.   

Gjithsej 97 përfitues të kësaj nisme, 84 gra dhe 13 burra u ndanë të kënaqur me përfitimet e marra me këtë rast. Projekti u vlerësua edhe nga mamitë, përfaqësuesit e shoqërisë civile si dhe institucionet.   

“Institucionet përgjegjëse me vite të tëra na kanë shtypur dhe nuk na kanë vlerësuar, as nuk kanë investuar në profesionin tonë, por dashuria e madhe për profesionin na ka bërë të mos dëgjojmë e të mos shohim”, u shpreh njëra nga mamitë gjatë një diskutimi.  

Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga ShMAKS-u në dhjetor 2018, morën pjesë: drejtorët e departamenteve të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nga komuna të ndryshme të Kosovës, pjesëtarë të Asamblesë Komunale të Prishtinës, përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik dhe të organizatave të shoqërisë civile. 

Gjatë kësaj tryeze, Magbule Elezi, Kryetare e SHMAKS-it kërkoi përkrahje nga të pranishmit, që me ndikimin e tyre institucional të vazhdojnë angazhimin e përbashkët në këtë drejtim.  

“Përmes politikave shëndetësore, përkrahjes institucionale e ngritjes profesionale mund të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve dhe të ngrisim mirëqenien e grave dhe qytetareve tona, si dhe të përmirësojmë jetën e tyre,” u shpreh ajo.   

Ndërkaq, Besa Baftiu, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ndër të tjera u shpreh se “Si komision, e kemi ngritur shqetësimin për mbylljen e materniteteve dhe po vazhdojmë bashkëpunimin me SHMAKS-in që të gjejmë një zgjidhje, që mamitë të kenë rolin e merituar.”  

Disa nga rekomandimet e dalura nga kjo tryezë janë: 

  • Përfshirja e mamive në procesin e hartimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike në obstetrik, 
  • Përshkrimi i detyrave të punës, varësisht nga institucioni ku mamitë punojnë, 
  • Edukimi i Vazhdueshëm Profesional për Mamitë, 
  • Përfaqësimi i mamive në vendim-marrje brenda institucionale, 
  • Ngritja dhe fuqizimi i punës ekipore, 
  • SHMAKS-i të përfshihet në të gjitha grupet punuese ku debatohet dhe merren vendime në të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore për profesionin e mamisë, 
  • Delegimi i gjinekologeve nga MSH në të gjitha maternitetet ku mungojnë gjinekologët që mundëson rifunksionalizimin më të shpejtë të materniteteve,  
  • Përshkrimi i detyrave dhe kompetencave të punës.   

Një takim tjetër mjaft frytdhënës ishte me kryetarin për akreditim të Fakultetit të Mjekësisë- Dega e Mamisë, ku u premtua riiakreditimi i kësaj dege si dhe memorandum bashkëpunimi në mes të Fakultetit të Mjekësisë dhe SHMAKS-ut.  

Për të mos mbetur vetëm në suza kombëtare SHMAKS-u ka mbajtur takime edhe me Shoqatën e Infermierëve dhe Mamive të Shqipërisë ku u nënshkrua memorandum bashkëpunimi me qëllim që të dy shtetet të organizojnë takime të vazhdueshme si dhe t’i ndajnë përvojat.  

“Njoh shumë profesione, por profesioni më i shenjtë në këtë botë është ai i mamive, pasi që fëmija që vjen në këtë botë pritet nga këto heroina, ato përjetojnë gëzim të përbashkët më familjen”, tha Xhejrane Lokaj, Drejtore e organizatës Iniciativa e Grave.   

Përveç rekomandimeve të lartpërmendura, SHMAKS-u ka dërguar edhe disa rekomandime Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Punë e Mirëqenie Sociale. 

Rekomandimet janë si më poshtë: 

  • Ministria e Shëndetësisë të sigurojë pjesëmarrjen e përfaqësueseve të SHMAKS-it në grupe punese për hartimin e politikave dhe strategjive në fushën e shëndetit të nënave, fëmijëve, adoleshentëve dhe shëndetit riprodhues, 
  • Ministria e Shëndetësisë të konsultojë homologët në Republikën e Kroacisë për avancimin e rolit të mamive sipas ligjit dhe modelit kroat, 
  •  Ministria e Shëndetësisë të ofrojë programe, udhëzues, standarde dhe udhërrëfyes për informim dhe ngritje të kapaciteteve për shëndetin riprodhues që ndikojnë në shëndetin e nënave dhe foshnjave, planifikimin familjar, fertilitetin, lindjet e hershme, si dhe sëmundjet e parandalueshme,  
  • Ministria e Shëndetësisë të marrë masa mbi dukurinë e mbylljes së materniteteve nëpër komuna, pasi mungesa e shërbimit në disa njësi ka rrezikuar seriozisht shëndetin e grave, vajzave dhe fëmijëve, 
  • Ministria e Shëndetësisë të zhvillojë plan të burimeve njerëzore për mamitë dhe profesionistët e tjerë shëndetësor me qëllim rritjen e numrit të mamive, të ofrohen mundësi për zhvillimin e vazhdueshëm profesional për menaxherët e institucioneve shëndetësore dhe mamitë, duke fuqizuar kështu shkathtësitë dhe njohuritë themelore me qëllim të ofrimit të shërbimeve cilësore dhe të barabarta për shëndetin e nënës dhe fëmijëve në të gjitha njësitë e materniteteve, 
  • Ministria e Shëndetësisë të marrë në konsideratë Direktivën Nr. 2005/36/EC, të Bashkimit Evropian (BE) mbi kualifikimet profesionale për mamitë. 

Rezultatet pozitive të arritura përgjatë këtyre muajve kontribuojnë në përpjeket e mëhershme të RrGK-së dhe ShMAKS-it drejt përmirësimit të kushteve të materniteteve në Kosovë.  

Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), si dhe është financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).