Strehimoret, RrGK dhe Institucioni i Avokatit të Popullit bashkëpunojnë kundër Dhunës në Baza Gjinore

Në bashkëpunim të ngushtë me Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP), Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizoi një punëtori mbi rolin e IAP-së në adresimin e dhunës ndaj grave, për përfaqësueset e qendrave të strehimit dhe qendrave ditore që ofrojnë shërbime për gratë që kanë përjetuar dhunë në baza gjinore 

Duke u bazuar në bashkëpunimin pozitiv të krijuar ndërmjet RrGK-së dhe IAP-së, Merita Syla nga IAP ka ofruar informata për kuadrin ligjor përkatës dhe për format me të cilat IAP mund të ndihmojë në raste të tilla. 

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrëset përcaktuan hapa konkretë për referimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave tek institucionet përkatëse dhe në IAP. 

Kjo punëtori është pjesë e bashkëpunimit të ngritur midis strehimoreve, RrGK dhe IAP-së për të punuar drejt trajtimit më dinjitoz të rasteve të dhunës ndaj grave nga institucionet relevante. Bashkëpunimi i tyre do të vazhdojë këtë vit në mbështetjen e grave dhe vajzave që kanë përjetuar dhunë në kërkimin e drejtësisë dhe paraqitjen e ankesave ndaj institucioneve që nuk përmbushin detyrimet e tyre ligjore. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu çështje të rëndësishme me të cilat ballafaqohen strehimoret, duke përfshirë financimin e përhershëm të strehimoreve dhe sigurinë e stafit të tyre. 

 Kjo punëtori u financua nga UN Women me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Poashtu një anëtare e stafit të RrGK-së e mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim ndau edhe ekspertizën e saj në këtë punëtori.