Strehimorja në Novobërdë ngrit vetëdijen për luftën ndaj dhunës me bazë gjinore

Strehimorja Qendra Përfshirëse e Grave (QPG) nga Novobërda ka organizuar punëtori dyditore më 13 dhe 14 shkurt me përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, qendrave për punë sociale, Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe organizatave joqeveritare që merren me problemin dhe pasojat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore nga komunat e Ranilugut, Novobërdës, Parteshit, Kllokotit, Graçanicës dhe Shtërpcës.

Këtë aktivitet strehimorja në Novobërde e realizoi në kuadër të nismës “Promovimi i të drejtave të viktimave të dhunës në familje përmes aktiviteteve digjitale dhe avokuese” mbështetur nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).

Adelina Berisha, Menaxhere e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës duke folur për Konventën e Stambollit dhe funksionimin e mekanizmave koordinues komunal kundër dhunës në familje, tha se në Kosovë mbi 68% e grave deklarohen që kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës.

“Edhe pse në shumicën e vendeve forma më e shpeshtë e dhunës është dhuna në familje, ka forma të tjera të dhunës ku gratë prapë janë viktima. Në Kosovë mbi 68% e grave deklarohen që kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës. Kur them në Kosovë, statistikat qëndrojmë mjaft ngjashëm në të gjitha etnitë”, tha Berisha.

Mirëpo, ajo përmendi se në vitet e fundit ka filluar të ketë rritje të raportimit në polici për rastet e dhunës.

Ndër të tjera ajo u rikujtoi pjesëmarrësve se “anëtarët e Mekanizmit Koordinues kanë për obligim ligjor që të anagazhohen në të gjitha shtyllat e luftimit të dhunës në baza gjinore e dhunës ndaj grave, duke filluar prej parandalimit e deri në riintegrimin dhe rehabilitimin e viktimave të Dhunës me Bazë Gjinore”.

Biljana Nastovska, këshilltare për çështjet gjinore nga Misioni i OSBE-së në Kosovë ka folur për rolin e bashkëpunimit dhe koordinimit të shumë agjencive në parandalimin e dhunës në familje. Ajo shpjegoi se të gjithë kanë rol dhe përgjegjësi në luftimin e dhunës ndaj grave.

“Kur është në pyetje Konventa (e Stambollit) thotë se dhunën ndaj grave nuk mund ta zgjidhë një agjencion. Domethënë shumë shpesh dëgjoj se policia është ajo që duhet ta kryejë. Konventa është mjaft e qartë, domethënë një udhëheq, por të gjithë e kanë përgjegjësi, e gjithë shoqëria,” tha Nastovska.

“Dhuna ndaj gruas është shumë komplekse. Ajo kërkon përfshirjen e policisë dhe të gjithë personave përgjegjës,”shtoi ajo.

Ndërkaq, Vesna Stanic, drejtoreshë e Qendrës Përfshirëse të Grave në Novobërdë theksoi se kjo punëtori u ka mundësuar të pranishmëve që të informohen më shumë dhe të marrin përgjigje nga panelistët lidhur me mekanizmat koordinues për luftimin e dhunës.

“Sot kemi kontribuar që komunat që nuk kanë mekanizmat ta kenë rastin që të pyesin për të gjitha ato që nuk e kanë pasur rastin deri sot dhe të dëgjojnë nga penalistët tanë. Sa unë mund të vërejë janë edhe më të motivuar që t’i formojnë mekanizmat koordinues në komunat e tyre,” u shpreh Stanic.

Kjo nismë përkrahet nga raundi i 17-të i Fondit të Grave të Kosovës të RrGK-së me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.