Studentët nga Amsterdami vlerësojnë aktivizmin e RrGK-së

Të premten më 17 qershor, Adelina Berisha, Menaxhere Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, RrGK, dhe Besarta Breznica, Koordinatore Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, RrGK u takuan me studentët nga Kolegji Universitar i Amsterdamit, Holandë.

Në këtë takim tradicional, Berisha foli për historinë e lëvizjeve për të drejtat e grave në Kosovë, për punën e bërë nga RrGK-ja që nga themelimi, si dhe për gjashtë programet kryesore të RrGK-së.

Studentët ishin të interesuar që të njihen nga afër me punën e RrGK-së, përvojat e aktivisteve për të drejtat e grave në Kosovë, gjendjes në Kosovë, dhunës në baza gjinore dhe viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Berisha tha se përderisa shtetet nuk e pranojnë se çfarë është bërë, “nuk besojmë që gratë e dhunuara do të jenë të qeta dhe që drejtësia do të marre kahje.”

“Kemi avokuar shumë në dialog që të kemi perspektivë gjinore, por dialogu gjithmonë është me burra dhe vetëm për aspekte teknike, por jo aspekte njerëzorë që neve si gra na brengosin”, tha Berisha.

Studentët janë njoftuar se RrGK jep rekomandime që janë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare për t’i përfshirë në legjisacionin kosovar. Po ashtu, në bazë të rekomandimeve të RrGK-së, është mundësuar që disa forma të dhunës me bazë gjinore si dhuna seksuale dhe ngacmim seksual të kriminalizohen.

Stafi i RrGK-se i njoftoi studentët për fushatat e shumta vetëdijësuese, ndërsa vuri në pah se gratë po raportojnë më shumë për dhunën falë punës që OJQ-të kanë bërë deri më tani.

Studentët e vlerësuan takimin, duke e parë atë si përvojë të vlefshme dhe mundësi të mrekullueshme për të kuptuar nga afër punën e RrGK-së, dhe gjithashtu gjendjen e grave në Kosovë.

Studentët vunë në pah se është movitues solidariteti mes anëtarëve të rrjetit dhe shprehën dëshirën që të bëjnë praktikë në mënyrë që të mësojnë për gjëra të reja dhe sidomos për roln e grave në ndertimim te paqes.

Gjatë tri viteve të kaluara, drejtorja ekzekutive e RrGK-së Igo Rogova ka diskutuar me studentët e këtij universiteti për të drejtat e grave dhe ndikimin e tyre në historinë e Kosovës dhe ndërtimin e paqes.  Lexoni KËTU më shumë rreth vizitës në vitin 2021.