Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Zensko Pravo (Shqip: Të drejtat e Grave), ka mbajtur disa aktivitete falë përkrahjes së marrë nga raundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës.
Në kuadër të nismës “Parandalimi i dhunës ndaj grave në veri të Kosovës”, organizata Zensko Pravo ka organizuar një varg trajnimesh dhe një tryezë të rrumbullakët lidhur me Konventën e Stambollit
Këto trajnime u mundësuan të mbijetuarave t’i adresojnë nevojat për riintegrimin në shoqëri drejtpërdrejt tek institucionet, e kështu të krijohet një mjedis sa më pranues për to.
“Ne kemi qëllim që të kontribuojmë në vetëdijësimin e profesionistëve në institucionet gjyqësore, prokuroriale dhe policore të cilët punojnë në rastet e dhunës me bazë gjinore, për nevojën e zbatimit të parimeve të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, tani të integruar në Kushtetutë.”, u shpreh Ruzica Simic, Koordinatore e Projektit.
Në kuadër të këtij aktiviteti, u përgatitën po ashtu edhe propozim marrëveshje për bashkëpunim me gjykatën, prokurorinë, mbrojtësin e viktimave dhe policinë, si pjesë e ndihmës juridike që Zensko Pravo është duke ofruar për viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Në tryezën e mbajtur me 24 dhjetor 2021 në Mitrovicë, pjesëmarrës ishin 15 zyrtarë të institucioneve që punojnë me raste të dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore, si dhe disa gra që kanë përjetuar dhunë.
“Takimet si ky ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit dhe punës së koordinuar në mes institucioneve dhe organizatave joqeveritare.”, tha prokurorja për rastet e dhunës në familje, Natasha Taniq.
Tutje, kjo organizatë ka mbajtur edhe një punëtori me 15 zyrtarë mbi rolin e organizatave joqeveritare që punojnë për të drejtat e grave në parandalimin dhe ofrimin e shërbimeve të specializuara për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe në familje. Gjatë trajnimit, Koordinatorja e Projektit Simic njoftoi pjesëmarrësit për punën që ka kryer Zenkso Pravo ndër vite, duke ofruar shërbime juridike falas për gratë viktima të dhunës.
Kjo nismë e organizatës Zensko Pravo është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.