RrGK dhe Lobi diskutojnë strategji bashkëpunimi

Me 1 shkurt, në objektin e Komunës së Obiliqit, u mbajt takimi mes Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe anëtareve të Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë nga Obiliqi në kuadër të projektit “Fuqizimi i ppjesëmarrjes së ggrave në ppolitikë” që financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë. Në këtë takim, morën pjesë 15 anëtare të Lobit, ku diskutuan për ҫështjet me prioritet për gra në këtë komunë dhe rëndësinë e bashkëpunimit.

Fillimisht, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së hapi takimin duke folur për Lobin dhe rritjen e vazhdueshme të interesimit për të. Ajo u shpreh se ka ardhur koha që të bashkohemi dhe të avokojmë për ҫështje me prioritet. Rogova shpjegoi se në nivel lokal, Lobi funksionon në 27 komuna, por kur u shpreh dëshira dhe disponueshmëria e bashkëpunimit me nivelin qendror, atëherë u themelua Koalicioni për Barazi (KB).

“Edhe gratë e Koalicionit kanë nevojë për ne, sepse së bashku me pozitivitet mund t’i ndryshojmë shumë gjëra negative,” tha ajo. “Qëllimi është me qenë bashkë dhe me e përkrahë njëra-tjetrën, sepse unë kam takuar shumë gra të afta që e mbështesin njëra tjetrën, por ky numër duhet të rritet”, vazhdoi ajo.

Ganimete Aliu, Zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Obiliqit ndër të tjera tha se “shqetësimet kryesore të grave në këtë komunë përfshijnë dhunën në familje, punësimin për moshat e mesme, asistencën sociale për nënat vetëushqyese, dhe mbi të gjitha, ndotjen e ambientit”.

Tutje, duke diskutuar lidhur me punësimin e grave, Shqipe Strellci u shpreh se “Ky është problem kyҫ në këtë komunë, e sidomos për shkak të diskriminimit me bazë gjinore”. Ajo shtoi se “Kur burrat e kryejnë një punë, ata brohoriten; kjo nuk qëndron edhe për gratë”. Ndëkaq, për çështjen e punësimit u rekomandua që duke bashkëpunuar të krijohet një listë për të identifikuar personat që nuk e kanë asnjë anëtarë të familjes të punësuar.

Shqetësim tjetër që u ngrit gjatë këtij takimi ishte edhe mungesa e sigurisë së grave në këtë komunë. Ndërkaq, rekomandimet që u përmendën ishin edhe në lidhje me arsimin, saktësisht me kurrikulën e arsimit fillor, ku u sugjerua të mbahen aktivitete vetëdijesuese për barazi gjinore.

Sanije Grajҫevci, udhëheqëse e organizatës anëtare të RrGK-së “Aureola” dhe njëherit anëtare e Lobit në këtë komunë, u shpreh se “Asambleistet duhet të jenë më të zëshme për të avokuar dhe ҫështje të ndryshme”. Madje, u sugjerua gjthashtu edhe një takim mes Lobit dhe kryetarit të komunës.

“Kurrë më shumë se tash nuk kemi pasur nevojë për solidaritet”, tha Grajҫevci. Ajo shtoi se “është shumë e nevojshme që gratë të bashkohen që t’i identifikojnë ҫështjet dhe të avokojnë së bashku, përfshirë amviset, gratë e shkolluara e të pa shkolluara, nga të gjitha profesionet, sepse në fund të ditës, të gjithë jemi qytetarë të barabartë”.

Të gjithë të pranishmit u pajtuan dhe theksuan se solidariteti dhe përkrahja arrihet vetëm me ngritjen e pjesëmarrjes aktive të grave.