Më 5 prill, Shoqata e Gruas “Aureola” mbajti takimin e fundit në kuadër të iniciativës “Avancimi i Ligjit të Trashëgimisë”.
Në këtë takim ishin të pranishme Mexhide Mjaku – Topalli, Kryetare e Grupit të Grave Deputete, Daut Morina, Drejtor i Administratës Qendrore nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale nga Obiliqi, si dhe përfaqësuese nga shoqëria civile.
Qëllimi i kësaj iniciative është që të avokohet në Parlament për heqjen apo pezullimin e nenit 130.1 të Ligjit për Trashëgiminë.
Drejtorja e organizatës “Aureola”, Sanije Grajçevci ka vlerësuar se kjo do të ndikonte në krijimin e një pozite më të favorshme ekonomike për gratë. Ajo ka treguar se është rekomanduar gjithashtu krijimi i një baze elektronike të të dhënave, në mënyrë që të mos mbetet asnjë anëtar/e i/e familjes pa u përfshirë në trashëgimi.
Kurse Violeta Berisha, Drejtore e organizatës Amza, theksoi se rreth 80 përqind e grave nuk janë të vetëdijshme se ju takon pronë.
Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).