Qindra qytetarë ishin mbledhur sot në sheshin “Isa Boletini” të Mitrovicës për të vizituar ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, të realizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).
Kjo ekspozitë sjell një labirint simbolik që shpalos disa prej rrëfimeve të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, përjetime këto të mbledhura nga RrGK.
Fidane Hyseni, Drejtore e Strehimores “Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve – Raba Voca”, organizatë kjo e cila mbështeti këtë ekspozitë, ka çmuar lart rolin vetëdijësues që ekspozita bart me vete.
“Besojmë se shumë qytetarë do të vetëdijësohen se ku të lajmërojnë dhunën në familje. Falenderojmë RrGK-në për këtë ekspozitë si dhe për mundësinë e bashkëpunimit”, u shpreh ajo, duke treguar se deri në shtator të këtij viti kanë strehuar gjithsej 42 viktima të dhunës në familje.
“Muret mbajtëse” ishin pjesa e ekspozitës që ngjalli shumë interesim mes qytetarëve. Përmes mbishkrimeve në këto mure mitrovicasit u informuan mbi atë se çka ofrojnë institucionet kyçe për trajtimin e këtij lloji të dhunës dhe se si qytetarët mund të arrijnë tek ato institucione për të realizuar të drejtat e tyre.
Gjeni KËTU broshurën e kësaj ekspozite.
Për nevojën e bashkëpunimit institucional për trajtimin efikas të rasteve të dhunës në familje, foli përfaqësuesi i Policisë së Kosovës (PK), Fitim Zahiti.
“Të gjitha këto institucione, organizata, dhe strehimore funksionojnë si zinxhir dhe nëse një prej këtyre hapave nuk funksionon atëherë rastet e dhunës në familje nuk do të mund të trajtohen si duhet”, tha ai.
Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” muajt e kaluar ishte e hapur në Prishtinë, Gjilan, dhe Gjakovë.
Kjo ekspozitë përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).
LEXO EDHE: RrGK hap ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”.