Me moton “Për kon t’rreh zemra” në Prishtinë mirëpritet Parada e Krenarisë

Për vitin e tretë me radhë në Prishtinë u mbajt Parada e Krenarisë nga Komuniteti LGBTI (homoseksualë, lesbike, biseksualë, transgjinorë, interseks), aktivistë dhe përkrahës të të drejtave të këtij komuniteti.

10 tetori mblodhi në sheshin “Skëndërbeu” të kryeqytetit qindra aktivistë nën sloganin “Për kon t’rreh zemra”.

“Është një ditë ku ne, pas një kohe të gjatë që jemi detyruar me u fshehë, kemi dalur rrugëve me shumë krenari për herë të tretë”, tha pas përfundimit të ecjes, Lend Mustafa, Kordinator i Qendrës për Liri dhe Barazi (CEL).

Ai nuk la pa përmendur edhe vështirësitë e grave dhe vajzave të këtij komuniteti.

“Na rreh zemra për gratë lezbike, biseksuale dhe transgjinore qe çdo ditë perveç që hasin në homofobi dhe transfobi, përballen edhe me sistemin patriarkal të këtij vendi”, ishin fjalët e Mustafës.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ishte pjesë e kësaj parade të organizuar nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Liri dhe Barazi (CEL), me organizatat partnere Civil Rights Defenders (CRD) dhe Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS).

Paradës i prinë aktivitete të shumta në kuadër të Javës së Krenarisë që u zhvillua në datat 7,8 dhe 9 Tetor. Java e Krenarisë trajtoi çështje të gjendjes aktuale të personave LGBTI në shoqërinë kosovare, si dhe padrejtësitë me të cilat ata përballen, duke pasur për qëllim përmirësimin e pozitës së këtyre personave.

Për më shumë:  https://www.youtube.com/watch?v=j91r-GN93aY.

#PerKonTrrehZemra