Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” kësaj radhe viziton Drenasin

Sot, me datë 6 nëntor, qytetarët e Drenasit patën mundësinë të vizitojnë ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, e cila nga qershori po shfaqet në qytetet e Kosovës. Ekspozita sjell një labirint simbolik që shpalos disa prej rrëfimeve të vërteta të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, dhe synon të inkurajojë qytetarët që të thyejnë heshtjen dhe të kërkojnë mbështetje nga institucionet në rast të dhunës.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) bashkëpunuan për të sjell ekspozitën në sheshin “Fehmi Lladrovci”.

“Jemi të informuar rreth problemeve më të shpeshta që na preokupojnë si shoqëri e që mes tyre është edhe dhuna në familje. Jemi këtu për tu bërë thirrje për sa më shumë mbështetje institucionale nga të gjithë akterët tjerë që trajtojnë rastet e dhunës në familje” tha Jetmira Morina, Punëtore Sociale ne QPDG.

 

“Në Stacionin Policor në Drenas sipas statistikave në periudhën Janar deri në Nëntor, janë raportuar dhe inicuar 34 raste të dhunës në familje, e që janë 7 raste më shumë se në vitin 2018. Nga ky numër i rasteve 9 persona janë arrestuar dhe janë ndaluar nga Prokuroria dhe 4 viktima janë dërguar në Strehimore. Kisha bërë thirrje që të gjithë ata që dijnë se ka ndodh një rast, të na njoftojnë pasi që ne e kemi të pamundur ta dijmë se çka ndodh në secilën shtëpi, ndërsa fqinjët mund ta dijnë për fqinjët e vet, e kështu ndoshta edhe mund ta parandalojmë edhe më të keqen”, tha Nazmije Rukiqi, hetuese në njësinë kundër dhunës në familje në stacionin policor, Drenas.

 

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës ishin “Muret mbajtëse” përmes së cilave qytetarët u informuan mbi atë se çka ofrojnë institucionet kyçe për trajtimin e dhunës në familje dhe se si qytetarët mund të arrijnë tek ato për të realizuar të drejtat e tyre.

Ekspozita në komunën e Drenasit është përkrahur nga Austrian Development Agency dhe Bashkimi Europian përmes UN Women.

LEXO EDHE: RrGK hap ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena  mureve”.