Organizatat anëtare të RrGK-së shënojnë 20 vjetorin e themelimit 

Organizatat anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)Medica Kosova, si dhe Medica Gjakova kanë shënuar 20 vjetorin e themelimit të tyre.  

Më 11 nëntor, QKRMT mbajti konferencë“Adresimi i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë“,
përmes së cilës u kërkua drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Me këtë rast akterët relevantë diskutuan dhe shkëmbyen praktikat më të mira për të përmirësuar shërbimet dhe trajtimin e rasteve në të ardhmen. 

Kurse, më 14 nëntor në Gjakovë u bë promovimi i librit “Unë jam Anemone”, i pari i këtij lloji i shkruar në Kosovë, publikuar nga Medica Gjakova.  Libri përmban rrëfimet e të mbijetuarave nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky aktivitet u shoqërua edhe me ekspozitë me fotografi nga puna e tyre dy dekadëshe. 

24 tetori bashkoi aktiviste të shoqërisë civile, përfaqësues institucional dhe të organizatave ndërkombëtare në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të Medica Kosovës. Këtu u prezantuan 20 vitet e shndërrimit të dhimbjes në forcë, bashkë me të dhëna mbi numrin e përfituesve dhe llojet e shërbimeve të ofruara gjatë gjithë këtyre viteve.   

RrGK vazhdimisht ka përkrahur këto organizata, por edhe organizata dhe institucione të tjera, në përpjekjet për të kërkuar drejtësi dhe solidaritet për të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë.  

KËTU mund të ndiqni transmetimin e konferencës së QKRMT-së, KËTU transmetimin e ngjarjes së Medica Gjakovës, si dhe KËTU videon nga shënimi i 20 vjetorit të themelimit të Medica Kosovës. 

 

LEXO EDHE: Organizatat kërkojnë trajtim të dinjitetshëm të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.