Më 28 prill, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), së bashku me partnerët e saj Organizata e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK) dhe Ruka Ruci (RR), lansoi dokumentin e politikave “Të papaguar dhe të pambrojtur: Asistentët personalë mbajnë barrën e kujdesit për personat me aftësi të kufizuara”, në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Përmirësimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për të Rritur Qasjen në Mbrojtje Sociale Cilësore për Gra dhe Burra të Ndryshëm.”
Ngjarja e lansimit, e mbajtur në Europe House, shënoi Ditën Botërore për Siguri dhe Shëndet në Punë, duke tërhequr vëmendjen ndaj kushteve shpesh të neglizhuara dhe të parregulluara të punës së asistentëve personalë, të cilët ofrojnë kujdes thelbësor për personat me aftësi të kufizuara.
Dokumenti i politikave paraqet gjetjet kryesore nga hulumtimi i zhvilluar me një gamë të gjerë akterësh, përfshirë asistentë personalë, organizata të personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësues institucionalë. Hulumtimi siguroi përfshirjen e komuniteteve të ndryshme, përfshirë komunitetin serb përmes partneritetit me Ruka Ruci, si dhe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përmes bashkëpunimit me Rrjetin e Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane të Kosovës (RROGRAEK).
Duke hapur ngjarjen, Reyes Charle Cuellar, Këshilltare për Barazi Gjinore në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, theksoi rëndësinë e sistemeve gjithëpërfshirëse dhe gjinore të përgjegjshme të mbrojtjes sociale, duke nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për forcimin e angazhimit të shoqërisë civile në hartimin dhe zbatimin e politikave.
“Strategjia Evropiane për Kujdesin synon që puna e kujdesit të vlerësohet, të mbështetet siç duhet dhe të shpërblehet në mënyrë të drejtë. Puna e grave, pasi shumica dërrmuese janë gra që kujdesen për burra, gra dhe fëmijë me aftësi të kufizuara, duhet të njihet dhe të rregullohet. Ky duhet të jetë një element kyç brenda sistemit gjithëpërfshirës të mbrojtjes sociale, të cilin Bashkimi Evropian po e mbështet Kosovën ta zhvillojë,” tha Reyes Charle Cuellar.
Ndërsa, Maria Berishaj, Anëtare e Bordit të RrGK, në fjalimin e saj u shpreh “Puna e papaguar e kujdesit e kryer nga gratë mban shoqëritë tona, megjithatë vazhdon të mbetet kryesisht e padukshme dhe e nënvlerësuar. Njohja dhe mbështetja e kujdestareve të personave me aftësi të kufizuara nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por edhe e ndërtimit të një shoqërie më të drejtë për të gjithë”.
Hulumtuesja e RrGK-së, Mirjeta Ademi, prezantoi gjetjet kryesore, duke theksuar boshllëqe të konsiderueshme në njohjen ligjore, kushtet e punës dhe qasjen në mbrojtje sociale për asistentët personalë në Kosovë, si dhe rekomandimet kryesore nga dokumenti i politikave. Këto përfshijnë:
- Sigurimin që ligji i ardhshëm gjithëpërfshirës të njohë qartë asistentët personalë si punonjës formalë, duke kërkuar kontrata të detyrueshme me shkrim, kontribute pensionale, sigurim shëndetësor, orar të rregulluar të punës dhe mbrojtje për punën jashtë orarit.
- Rritjen e mbështetjes financiare për asistentët personalë brenda Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, duke harmonizuar kompensimin së paku me nivelin e pagës minimale prej 425 euro në muaj, me një kosto totale prej 53 milionë euro në vitin 2026, 23 milionë euro në vitin 2027 dhe 77 milionë euro në vitin 2028.
- Themelimin e një programi të akredituar në nivel kombëtar për trajnimin dhe certifikimin e të gjithë asistentëve personalë, duke ofruar trajnim falas për kujdes specifik për aftësinë e kufizuar.
Ngjarja përfshiu gjithashtu diskutimin në panel që mblodhi përfaqësues nga institucionet, shoqëria civile dhe organizatat e personave me aftësi të kufizuara, ku diskutuan realizueshmërinë dhe hapat praktikë të nevojshëm për zbatimin e rekomandimeve të politikave. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e formalizimit të rolit të asistentëve personalë, sigurimit të kushteve të drejta të punës dhe përmirësimit të qasjes në shërbime cilësore për personat me aftësi të kufizuara.
“Asistenca personale nuk është luks; është domosdoshmëri për jetesë të pavarur. Për shumë persona me aftësi të kufizuara, mbështetja nevojitet 24 orë në ditë, megjithatë financimi aktual është larg të qenit i mjaftueshëm për të siguruar kujdes dinjitoz dhe adekuat,” tha Resmije Rrahmani nga OPDMK, duke ndarë përvojën e saj jetësore si person me aftësi të kufizuara.
Po ashtu, Nevenka Rikallo, përfaqësuese e organizatës partnere Ruka Ruci, theksoi: “Asistenca personale kërkon jo vetëm njohje ligjore, por edhe investim në trajnim, mbështetje psikosociale dhe linja të dedikuara buxhetore për të siguruar mbështetje cilësore për personat me aftësi të kufizuara dhe ata që ofrojnë kujdes.”
Kjo nismë kontribuon në përpjekjet më të gjera për të përmirësuar qasjen në shërbime cilësore të mbrojtjes sociale dhe për të siguruar që puna e kujdesit të njihet, vlerësohet dhe mbrohet në përputhje me standardet ndërkombëtare. RrGK, së bashku me partnerët, do të vazhdojë të angazhohet me institucionet relevante për të avokuar për zbatimin e këtyre rekomandimeve.
