Drita Vukshinaj – zë i fuqishëm i grave e personave me aftësi të kufizuar 

“Babai im tha ‘Jo, nuk dua që vajza ime të operohet dhe nuk dua që t’i ndodhë asgjë vetëm për shkak të operacionit në këmbë. Por unë insistova, isha e bindur që do duhej të qëndroja në spital në Beograd dhe ta operoja këmbën, katër herë me rradhë. Kështu edhe ndodhi sigurisht me insistimin tim. Në spital qëndrova 1 vit e vetme dhe ia dola”.

Këto ishin fjalët e Drita Vukshinaj dhe e gjitha kishte ndodhur pas shumë peripecive që Drita Vukshinaj kishte hasur në mentalitet patriarkal duke mos e lejuar që ta kuronte këmbën. Ajo në moshën gjashtë vjeçare ishte rrëzuar nga pema. Lëndimi dhe problemet në këmbë e përcollën gjatë gjithë jetës. Fillimisht mjekët në Kosovë i kishin thënë që këmba duhej të amputohej. 

Megjithatë, Drita Vukshinaj, në moshën 10 vjeçare si një vajzë e fuqishme dhe aktiviste në shpirt, mori vetë-iniciativë të operohej në Beograd, ndonëse babai e kundërshtonte, ndërkaq nënën që e kishte krah në atë moshë e kishtë lënë të vetme, pasi kishte ndërruar jetë. 

E ne sot, ditën e martë do ta kujtojmë Dritën, një grua që nuk lodhej kurrë, aktiviste shumë-vjeçare e çështjes së grave dhe të drejtave të njeriut, e cila u bë zë i fuqishëm në veçanti për personat me aftësi të kufizuara. Ajo i kishte vënë synim vetes që të fuqizojë dhe të avancojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar dhe ia doli. E gjitha kishte rrjedhë pasi që vetë Drita ishte me aftësi të kufizuar. Sfidat me të cilat u përball ajo e shtynë atë t’i kushtonte jetën e saj luftës për të drejtat e grave tjera me aftësi të kufizuara. 

Personat me aftësi të kufizuara ishin të përjashtuar nga shoqëria, por sidimos në periudhën e viteve të 1989-2000, gjatë së cilës Drita nuk u ndal kurrë duke organizuar një sërë aktivitetesh, përfshirë kurse kundër analfabetizmit, kurse për rrobaqepësi dhe shumë aktivitete të tjera duke i realizuar ato gjithmonë në mënyrë vullnetare. Ajo ishte pjesë e ekipit për regjistrimin e personave me aftësi të kufizuara në 78 fshatra të Prizrenit, prej nga edhe kishte prejardhjen. Kjo kishte ndodhur atëherë kur Drita kishte kuptuar që ekzistonte një shoqatë “Hendikos” e që i mbronte të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. 

Drita ishte gjithmonë aty për personat me aftësi të kufizuara. Ajo ka vizituar derë më derë gra me aftësi të kufizuara, ato të cilat nuk kanë pasur mundësi gjatë tërë jetës së tyre të dalin nga lagjja ku kanë jetuar. Ajo ua mundësoi ta shohin Kosovën. 

“Më kujtohet viti 2000, kam bërë një eskurzion në gjithë Kosovën. Kam takuar një grua rreth të 50 – tave dhe kur arritëm në Prizren, pasi kishim vizituar Prishtinën, Pejën, Deçanin, Prekazin dhe në fund arritëm në Prizren, fjalët e asaj gruaje ishin: ‘Edhe nëse vdes tash, asgjë tjetër nuk dua, sepse unë asgjë në jetën nuk kam parë përveç lagjes time’’. 

Në vazhdën e aktivizmit të saj, një grua që nuk ndalej kurrë, Drita ndjente që zëri i grave me aftësi të kufizuara nuk po ndëgjohej sa duhej. Kështu, në vitin 2012, ajo krijoi shoqatën “Shpresa dhe Ndërtesa”, organizatë joqeveritare që ndihmonte personat me aftësi të kufizuara të integrohen në shoqëri. 

Ajo gjithashtu ka qenë e përfshirë në iniciativa që kanë për qëllim promovimin e dialogut ndëretnik dhe pajtimit në Ballkan, përmes punës së saj me Rrjetin Ballkanik për Demokraci Lokale dhe Lobin Evropian të Grave. Si njohje për kontributet e saj në promovimin e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale, Vukshinaj ka marrë shumë çmime dhe nderime, duke përfshirë Çmimin Ndërkombëtar të Grave të Kurajës nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së në vitin 2019. Drita Vukshinaj është e njohur për punën e saj në promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtave të grave dhe drejtësisë sociale përpos në Kosovë edhe në rajonin e Ballkanit. 

Përmes organizatës së saj ajo ka qenë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës dhe stafi i RrGK-së  kishte nderin dhe kënaqësinë ta ketë një anëtare si Drita Vukshinaj. Përmes rrjetit, ajo fuqizoi shumë gra të tjera me aftësi të kufizuara në aktivizmin e tyre. Një grua si Drita gjithmonë do të kujtohet nga ne dhe të gjitha ato që e njohën si një grua luftarake, e pandalshme, dhe gjithmonë e gatshme të punoj vetëm për t’ju ofruar grave të tjera mundësi dhe hapsirë për të drejtat e tyre, për të drejtat e saj.  

Drita Vukshinaj lindi me 10 mars 1954 dhe ndërroi jetë me 9 mars 2016 në Prizren, qytetin e saj të lindjes.