Koalicioni Kosovar kundër dhunës në familje dhe dhunës seksuale përcakton strategjinë e vet

Koalicioni Kosovar kundër dhunës në familje dhe dhunës seksuale u takua në Durrës, mes 11 – 14 nëntor për të diskutuar strategjinë e koalicionit për vitin 2009 dhe strukturën e koalicionit në të ardhmen. Shtatë organizata e strehimore morën pjesë në këtë takim, përfshirë Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve (Prishtinë dhe Mitrovicë) Medica Kosova (Gjakova), Liria (Gjilan), Qenda për Mirëqenien e Gruas (Pejë), Hope and Homes for Children (Prishtinë) dhe Shtëpia e Sigurt në Gjakovë. Takimi u udhëhoq nga Delina Fico me ndihmë nga Eli Krasniqi. Anëtarët bashkëpunuan në formulimin e vizionit, misionit, parimeve, strategjisë për vitin 2009, strukturës, proceseve
të vendimmarrjes dhe përfaqësimit dhe komunikimit të Koalicionit, si përbrenda Koalicionit ashtu edhe me opinionin publik. Anëtarët e koalicionit u pajtuan që mision i Koalicionit të jetë parandalimi i dhunës në familje dhe dhunës seksuale, si dhe përkrahja, ndihma dhe fuqizimi i të mbijetuarve të dhunës.

Caqet strategjike për vitin 2009 janë:

  • Zvogëlimi i rasteve të dhunës në familje apo dhunës seksuale duke përkrahur programet për barazi gjinore dhe kanalizim të çështjeve gjinore;
  • Ngritja e vetëdijes;
  • Kompletimi i kornizës ligjore;
  • Ngritja e kapaciteteve; dhe
  • Fuqizimi i Koalicionit.

Mes aktiviteteve të planifikuara përfshihen iniciativa për zvogëlimin e varfërisë në Kosovë; një fushatë 16-ditore me aktivitete kundër dhunës ndaj gruas; avokimi në lidhje me ligjin kundër dhunës në familje dhe Planin Kombëtar të Veprimit kundër Dhunës në Familje; monitorimi; bashkëpunimi në rregullimin e strehimoreve të licencuara; dhe sigurimi i buxheteve për strehimore.

Struktura organizative e Koalicionit përfshin Komitetin Drejtues të përbërë nga drejtorët ekzekutivë të strehimoreve si organi më i lartë i vendimmarrjes; Përfaqësuesin e Koalicionit që do të përfaqësojë Koalicionin; Koordinatorin e Koalicionit, një person të jashtëm që punon me gjysmë orari në organizimin e takimeve, mbajtjen e procesverbaleve, përgatitjen e projektpropozimeve dhe përpilimin e materialeve për marrëdhënie me publikun. Anëtarët e koalicionit kanë vendosur që grupi të mbetet joformal dhe të funksionojë përbrenda RRGGK-së.
Koalicioni do të takohet së paku një herë në dy muaj.

Më 20 nëntor, grupi u takua prapë për të diskutuar përmbajtjen e një Memorandumi të Mirëkuptimit mes Koalicionit dhe RRGGK-së, përzgjedhjen e Përfaqësuesit të Koalicionit dhe atë se kush do të kërkojë fonde për aktivitetet e Koalicionit gjatë vitit 2009. Koalicioni është themeluar vitin e kaluar dhe që atëherë ka funksionuar si grup joformal. Koalicioni ka përfituar nga përkrahja financiare e dhënë nga UNFPA dhe asistenca teknike e ofruar nga RRGGK.