Kodi Penal i Kosovës kriminalizon Dhunën në Familje dhe Ngacmimin Seksual

Që nga 14 janari 2019, dhuna në familje dhe ngacmimi seksual janë vepra penale në Kosovë, të dënueshme në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës të ndryshuar kohët e fundit.

Procesi i gjatë i ndryshimit të Kodit Penal filloi në shtator 2017. Në atë kohë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) bashkëpunoi me anëtarët e tjerë të Grupit për Siguri dhe Qështje Gjinore (GSQGj) për të hartuar rekomandime ligjore për përfshirjen e ngacmimit seksual dhe dhunës në familje në Kodin Penal. RrGK hulumtoi dhe përgatiti këtë justifikim ligjor në përputhje me Konventën e Këshillit të Evropës mbi parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, e njohur si “Konventa e Stambollit“, si dhe duke u bazuar në praktikat më të mira në rajon dhe në Evropë.

Sipas statistikave të policisë, dhuna në familje ka qenë ndër krimet më të zakonshme të kryera në Kosovë në dekadën e fundit. Në vitin 2018, policia ka raportuar më shumë se 1,125 raste të dhunës në familje. Për më tepër, një studim i RrGK-së në vitin 2015, tregoi se më shumë se 62% e kosovarëve kanë përjetuar një formë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre. Vetëm në tre vitet e fundit (2015-2017), 49 gra humbën jetën për shkak të dhunës së kryer kundër tyre nga anëtarët e familjes. Megjithatë, ka pasur shumë pak dënime për krime të tilla, sugjerojnë të dhënat e gjykatës. Sipas monitorimit të RrGK-së, kjo ka qenë pjesërisht për shkak të faktit se Kodi Penal nuk ka përcaktuar dhunën në familje si vepër penale. Si rezultat, gjykatat shpesh i trajtonin krimet e kryera brenda marrëdhënieve familjare vetëm në procedurat civile edhe kur ishte kryer një vepër penale e cila automatikisht do të duhej të ishte ndjekur penalisht (ex officio). Lirimi i ushtruesve të dhunës pa ndjekje penale ka kontribuar në dhunën e përsëritur apo recidiviste ndaj grave, madje edhe në vdekjen e tyre.

Ndërkohë, hulumtimi i RrGK-së mbi “Ngacmimin seksual në Kosovë” ka gjetur se rreth 49% e kosovarëve kanë përjetuar një formë të ngacmimeve seksuale gjatë jetës së tyre, ndërsa 45% kanë përjetuar vetëm në vitin 2014. Gratë (64%) kanë më shumë gjasa që të përjetojnë ngacmime seksuale sesa meshkujt (33%). Megjithatë, vetëm 4% e personave që kishin vuajtur nga ngacmimet seksuale i kanë raportuar ndonjëherë autoriteteve. Për më tepër, hulumtimi zbuloi se përfaqësuesit e institucioneve relevante kanë mungesë të njohurive në lidhje me ngacmimin seksual, përkufizimin e tij, kuadrin ligjor përkatës dhe procedurat e duhura për adresimin e tij. Ata tentojnë të keqkuptojnë ngacmimet seksuale si përdhunim ose sulme seksuale, ndërsa format “më pak të rënda” ose ishin të panjohura ose ishin shkarkuar si “të parëndësishme”.

Këto gjetje shqetësuese bënë që RrGK të filloj avokimin drejt ndryshimit të Kodit Penal, në mënyrë që të përcaktojë qartë dhunën në familje dhe ngacmimin seksual si vepra penale, duke mundësuar kështu qasje më të mirë në drejtësi për personat që kanë vuajtur akte të tilla, veçanërisht për gratë.

Kur RrGK u përball me rezistencën fillestare nga grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë, RrGK e forcoi bashkëpunimin e saj me një koalicion avokimi të përbërë nga ekspertë të GSQGj, duke përfshirë Zyrën e Koordinatorit Kombëtar për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, UN Women  dhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore. Aa shqyrtuan rekomandimet dhe hartuan një rekomandim të përbashkët, i cili gjithashtu mori mbështetje nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Poashtu, ata së bashku argumentuan se në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), brenda Kushtetutës së Kosovës, shteti ka për detyrë të mbrojë gratë në sferat publike dhe private. Përfshirja e dhunës në familje dhe ngacmimit seksual si vepra penale do të përmirësonte një mbrojtje të tillë, thanë ata. Përveç kësaj, amendamentet e propozuara do të kontribuonin drejtpërsëdrejti në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Kosovës për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Plani i Veprimit 2016-2020 duke “specifikuar dhunën në familje si vepër penale në Kodin Penal të Kosovës në pajtim me përkufizimin e dhunës në familje nga Ligji mbi Mbrojtja nga Dhuna në Familje”. Ndryshimet e propozuara gjithashtu kërkuan të adresojnë një rekomandim të bërë nga Komisioni Evropian në Raportin e 2018 të Kosovës.

Gjatë vitit 2017 dhe 2018, RrGK i përdori këto argumente në disa takime të grupeve punuese, duke avokuar pa u lodhur për këto rekomandime. Këtu përfshihen disa takime të grupeve punuese në Kuvendin  Kosovës.

Më 14 qershor, RrGK u shkroi një letër zyrtare të gjithë deputetëve duke i inkurajuar me forcë që të sigurojnë që definicioni specifik i dhunës në familje i ofruar nga RrGK dhe akterët të tjerë kyç, në përputhje me Konventën e Stambollit, do të miratohet: “Ne u bëjmë thirrje të gjithë parlamentarëve për të siguruar që amandamentet tona të propozuara të përfshihen, siç është propozuar fillimisht, në Kodin Penal të ndryshuar dhe të votojnë në favor të këtyre ndryshimeve thelbësore” thuhet në letër të RrGK.

Në nëntor 2018, Kuvendi miratoi Kodin Penal të ndryshuar, duke përfshirë definicionet e reja të Dhunës në Familje dhe Ngacmimit Seksual si vepra penale. Kodi ka hyrë në fuqi tash së voni.

“Ky ishte një proces shumë i gjatë dhe i rëndësishëm që përfshinte të gjithë akterët kryesorë”, tha Adelina Berisha, Koordinatore për Avokim në RrGK. “Duke përfshirë këto dy dispozita në Kodin Penal, do të ndihmojmë institucionet për të luftuar më mirë dhunën ndaj grave”, tha ajo. “Një nga synimet tona kryesore në këtë proces ishte të siguroheshim që autorët do të dënohen për krimet që ata kryejnë, gjë që nuk ka ndodhur deri tani”.

Monitorimi i qasjes në drejtësi i RrGK-së, raportet e hulumtimit që informuan rekomandimet e saj për Kodin Penal dhe koha e shpenzuar për avokim u mbështetën nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Fondacioni Kvinna till Kvinna.