Kvinna till Kvinna shpall vazhdimin e programit të tyre në Kosovë dhe Bosnje Herzegovinë deri më 2019

 Dita e dytë e takimit rrjetëzues të Kvinna till Kvinna (KtK), në Budvë filloi me lajme shumë të mira për organizatat partnere të saj.
     Ristin Thomasson, menaxhere rajonale e KtK për Ballkanin, gjatë prezantimit të Strategjisë së re rajonale për Ballkanin Perëndimor 2015-2019, tregoi se KtK nuk do të largohet tërësisht nga ky rajon. Në strategjinë e re 2015-2019 KtK ka vendosur që të vazhdoj programin vetëm në vendet ku ka pasur konflikt, në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë.
     Për dallim nga strategjia e vjetër e cila kishte si qëllim kryesor ngritjen e kapaciteteve të organizatave partnere, strategjia e re do të fokusohet më tepër në monitorim dhe avokim për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Anëtarësimi në BE do të jetë gjithashtu pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie.
     “Një ndër qëllimet kryesore të strategjisë së re, është që anëtarësimi i Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës në BE të bëhet me fokus të veçantë në barazinë gjinore dhe të drejtat e grave“ tha Ristin Thomasson, menaxhere rajonale e KtK për Ballkanin.