INTEGRIMI I PERSPEKTIVËS GJINORE NË PROCESIN E ANËTARËSIMIT NË BE

Download File

Kosova e ka dorëzuar aplikacionin e saj për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, prandajende nuk është hapur asnjë kapitull i Acquis për shqyrtim.1 Ndërkohë, Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë bërë disa zotime për avancimin e barazisë gjinore, duke përfshirë edhe disa sosh që ndërlidhen me procesin e anëtarësimit në BE. Duke u bazuar në treguesit zyrtarë të politikave dhe në metodologjinë e përbashkët në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor (BP), kjo përmbledhje e politikave monitoron dhe raporton mbi progresin e bërë në avancimin e barazisë gjinore sa i përket proceseve kyçe që lidhen me anëtarësimin në BE dhe dialogun politik në vitin 2022. Ky dokument synon t’u ofrojë zyrtarëve të qeverisë dhe BE-së njohuri dhe rekomandime se si të përmirësohet dhe përfshihet më tej perspektiva gjinore brenda këtyre proceseve, si dhe të informojë organizatat e grave të shoqërisë civile (OShCG) drejt synimit të një qasje transformuese gjinore në avokimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit në BE. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka monitoruar dhe ka përpiluar këtë raport, duke përdorur metodologjinë e zhvilluar nga organizatat partnere të Koalicionit për Avancimin e Barazisë Gjinore përmes Procesit të Anëtarësimit në BE (EQUAPRO) si pjesë e iniciativës sonë të përbashkët “Avancimi i barazisë gjinore përmes procesit të anëtarësimit në BE”, të bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian dhe Suedia.

Treguesit e përdorur rrjedhin nga Komunikimi i përbashkët për Planin e ri të Veprimit Gjinor III – Një Agjendë Ambicioze për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave në Veprimin e Jashtëm  shoqëruar nga Objektivat dhe treguesit e tij si dhe i njohur si Plani i Veprimit Gjinor III i BE-së (PVGj III). Monitorimi përqendrohet në dy akterë kryesorë përgjegjës për integrimin e perspektivës gjinore në procesin e anëtarësimit në BE: BE-në dhe organet qeveritare. Është për t’u theksuar se organe të shumta të BE-së operojnë në Kosovë dhe ato të cilat konsiderohen si më relevante për këtë monitorim janë: Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë (ZBEK), Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) në Kosovë dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Metodologjia e përdorur për monitorim në këtë dokument përfshiu perdorimin e metodave të përziera, duke përfshirë analizën e përmbajtjes, vëzhgimin e pjesëmarrësve dhe kërkesat e të dhënave nga aktorët kryesorë. Në tabelat përkatëse në vijim, për secilin tregues, krahasohen gjetjet e Raportit të Monitorimit të përpiluar në vitin 2021 dhe 2022. Në kolonën e fundit të secilës tabelë vlerësohen ndryshimet, duke përdorur shkallën krahasuese pesë pikëshe, ku “-1” ilustron rënie të konsiderueshme të rezultateve, “-0.5” tregon një rënie të lehtë, “0” tregon se nuk ka pasur ndryshim, “0.5” ilustron disa përmirësime, ndërkaq “1” nënkupton që ka pasur përmirësim të konsiderueshëm ose implementim të plotë. Ky sistem vlerësimi përdoret për të shqyrtuar regresin ose progresin e përgjithshëm në integrimin e një perspektive gjinore në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.