Gjatë Kuvendit Vjetor të 13-të të Anëtareve të RrGGK, njëra nga pjesëmarrëset nga Komuna e Deçanit, ngriti shqetësimin për rastin e gjetjes së trupit të pajetë të Donjeta Pajazitit, 24 vjeçare nga fshati Strellc i Deçanit. Edhe pse policia ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare që vërteton shkaktarin e vdekjes së saj, sipas burimeve tona, trupi i pajetë është gjendur me shenja përdhunimi.
Andaj, përfaqësueset e organizatave anëtare të RrGGK-së dhe të Lobit për Barazi Gjinore (LBGj) në Kosovë, pas Kuvendit dolën me një deklaratë të përbashkët ku shprehën shqetësimin e tyre lidhur me këto dyshime dhe nëse ato vërtetohen, dënojnë rëndë këtë akt makabër.
RrGGK dhe LBGj, kërkuan nga Institucionet e Republikës së Kosovës që janë përgjegjëse, të ndërmarrin masat e duhura në zgjidhjen e këtij rasti, si dhe të bëjnë më shumë në ofrimin e sigurisë për qytetarët e Kosovës, me theks të veçantë për gratë dhe vajzat. Raste të tilla ndjellin pasiguri dhe bëjnë që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës të ndihen të kërcënuar dhe të vet-izolohen. Këto raste janë të papranueshme për çdo qytetar të Republikës së Kosovës.